Integrimi në BE, Rama – opozitës: Shqipëria i ka punët në vijë. Nuk bllokohet nga gënjeshtrat dhe balta e dëshpërimit tuaj

Politikë | 6 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar opozitës se po përpiqet të mjegullojë realitetin me “gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”, duke e reduktuar debatin publik në një “luftë mizerabël politike”. Sipas tij, kjo strategji synon të mbulojë punët e Shqipërisë me “ziftin e dëshpërimit” dhe me “baltën e urrejtjes”.

“Punët e Shqipërisë identifikohen vetëm me një luftë mizerabël politike dhe me një përpjekje të vazhdueshme të kujtdo që është në anën e kundërt me ne, që qeverisim Shqipërinë, për të bërë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre, me baltën e të gjithë urrejtjes, mllefit, inateve të tyre. Shqipëria ka probleme, patjetër. Ne kemi shumë punë për të bërë, pa dyshim; jo çdo punë e kemi bërë si duhet dhe sa duhet, kjo nuk ka diskutim, por ama Shqipëria punon dhe punët e Shqipërisë, në tërësi, janë në vijë”, tha Rama në podkastin “Flasim”.

Ai shtoi se së shpejti priten lajme të mira për hapjen e kapitujve të negociatave, duke theksuar se e vërteta është se puna për integrimin europian po ecën përpara pa ndërprerje.

“Ashtu si kundër, dhe e mbyll këtë shënim, është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit në Bashkimin Europian, me negociatat që vazhdojnë dhe, në ndërkohë, gjithçka që thuhet kur vjen puna te negociatat lidhet me gënjeshtrën e madhe se: “ato janë bllokuar”, “ato janë ndaluar”, “ato janë penguar”, për arsye të mosarsyes së të gjithë atyre që synojnë ta pengojnë Shqipërinë për të luftuar qeverinë. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë e përditë e përditë dhe, së shpejti, përsëri, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për procesin e brendshëm në Partinë Socialiste për zgjedhjen e drejtuesve të organizatave në të gjithë territorin e vendit, duke e cilësuar këtë si një fushatë jo vetëm organizimi, por edhe komunikimi me qytetarët.

“Jemi përfshirë në një proces, në një fushatë të brendshme në Partinë Socialiste, për të zgjedhur ata që do të jenë drejtuesit e organizatave tona në të gjithë territorin e Shqipërisë, që nga niveli i qendrës së votimit, në nivelin e njësisë administrative dhe në nivelin e bashkisë. Por, në ndërkohë, kjo ka rëndësi për këto shënime, sepse nuk është thjesht një fushatë e brendshme organizimi dhe energjizimi, por është edhe një fushatë komunikimi mes nesh dhe mes nesh dhe të gjithë atyre që na mbështesin, që na besojnë apo që kanë dëshirë dhe nevojë të na dëgjojnë dhe që t’i dëgjojmë, pasi jetojmë në një kohë kur bëhet gjithmonë më e vështirë për të mësuar të vërtetën apo për të marrë informacionin e drejtpërdrejtë lidhur me një fakt që të intereson”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme