“Të jemi falënderues çdo dite që jetojmë”/ Nga familja te dhimbja për jetët që s’mund të shpëtohen, rrëfimi prekës i kardiologut: Një mjek që i flet vrazhdë pacientit e ka dëmtuar dy herë
Në studion e emisionit “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, këtë herë ishte i ftuar kardiologu i njohur Ermir Tafaj. Një bisedë që nisi nga rrënjët e një prej familjeve me emër në Tiranë, për të kaluar nëpër korridoret e spitalit, sfidat e një profesioni ezaurues dhe deri te dinamika e qytetit që ndryshon, por mbetet i lidhur pas kujtimeve.
Për Ermir Tafajn, mjekësia nuk ishte thjesht një zgjedhje, por një mjedis ku ai u rrit. Në shtëpinë e tij, bisedat për pacientët dhe sëmundjet ishin të zakonshme.
“Që në fëmijëri në shtëpi diskutoheshin biseda mjekësie. Në hapat e para bëhet mbytëse, pastaj e quan normale. Bëhet si pjesë e jotja”.
Edhe pse ëndrra e tij e adoleshencës ishte drejtësia, sot ai u është mirënjohës prindërve për orientimin. Me një baba reumatolog, të nderuarin Argjend Tafaj, një nënë pediatre dhe një motër gastro-hepatologe, rruga drejt Fakultetit të Mjekësisë ishte krejt e natyrshme.
“Prindërve u duhet të jemi falënderues se një 18-vjeçar realisht nuk di, është në një udhëkryq të madh. Kur e mendoj tani, mendoj që kam bërë zgjedhjen e duhur”, shprehet ai.
Të mbash mbiemrin Tafaj nuk është gjithmonë e lehtë. Ermiri pranon se mbiemri shpesh ka shërbyer për të hapur dyert, por shton se pas kësaj vjen përgjegjësia e madhe. “Shpesh herë mbiemri ka shërbyer për të hapur dyert, por nga ana tjetër ato dyer nuk mund të hapen gjithmonë. Të vjen ylli polar, por duhet ta mbash dhe të punosh. Ndonjëherë është shumë më e vështirë sepse duhet t’u tregosh të tjerëve që nuk je këtu rastësisht dhe duhet të investohesh shumë herë më shumë se sa dikush që nuk ka asgjë për të humbur. Janë të dyja anët e medaljes”.
Në punën e tij të përditshme, kardiologu udhëhiqet nga një këshillë e vjetër e prindërve: durim dhe empati. Në një sistem shëndetësor ku mjekët shpesh mund të jenë në prag ezaurimi, ashtu siç ai përmend kolapsin e urgjencave në Britaninë e Madhe, Ermiri zgjedh të vendoset gjithmonë në vendin e tjetrit. “Në qoftë se pacienti ka një problem dhe has një mjek që i flet vrazhdë, ti e ke dëmtuar atë dy herë. Mundohem të kem durim dhe empati. Mjekësia është një profesion ezaurues. Në botë kjo gjë është e shpeshtë. Sistemi shëndetësor dhe ai i urgjencave në Britaninë e Madhe është thuajse në kolaps. Nëse pyeteshin mjekët e urgjencës që ishin 40 vjeç se sa kohë i jepnin vetes që do e bënin këtë punë, thoshin maksimumi dhe pesë vjet. Janë disa specialitete në mjekësi që janë vërtetë ezauruese”.
Në kujtesën e çdo mjeku mbeten raste që nuk fshihen dot. Për Ermirin, sfidat më të mëdha janë patologjitë kardiake në mosha të reja. Ai kujton me dhimbje një djalë 23-vjeçar, i cili humbi betejën me një dëmtim të lindur të zemrës. “Një moment të caktuar, pasi luante futboll në mënyrë të rregullt, shfaq disa shenja klinike të Insuficiencës Kardiake, që është pamjaftueshmëria e zemrës për të bërë funksionin e saj pompë. Pata një lidhje me të dhe familjarët e vet, ishte një djalë shumë i mirë. Sapo ishte fejuar, po ndërtonte jetën dhe në një moment të caktuar shembet gjithçka. Për fat të keq ai ndërroi jetë. Ishte një situatë emocionale mjaft e fortë nga ana ime. Është një moment që më ka shënuar. Moshat e reja janë më problematike në menaxhimin nga ana jonë. Por për fat janë në përqindje shumë të vogël. Duhet të jemi falënderues çdo dite që jetojmë, shkojmë shumë pas pjesës materiale të gjërave, na pëlqejnë pushimet e bukura, një makinë e mirë, një rrobë e mirë, por në fund fare është jeta ajo që ka vlerë më shumë nga të gjitha”.
Si kardiolog, ai e sheh zemrën si një pompë perfekte që furnizon organizmin, por si njeri, ai e njeh “fijen e hollë” që e lidh organin me emocionin. Kardiologu shpjegon shkencërisht atë që ne e quajmë në mënyrë poetike si “zemër e thyer”. “Ekziston një patologji që njihet si Broken Heart Syndrome. Në momente gëzimi apo hidhërimi shumë të fortë, njerëzit mund të pësojnë infarkt si pasojë e stresit emocional. Për fat të mirë është e rrallë, por ndodh”.
Për Ermirin, “zemra” e Tiranës rreh përmes kujtimeve. “Evolucioni është i pashmangshëm. Shohim që Tirana ndryshon nga dita në ditë. Mendoj që ne nuk lidhemi shumë me objektet se sa me kujtimet. Teksa po vija në Radio Tirana, unë kam bërë shkollën “Kosova”, dhe kur po kaloja m’u kujtuan katër vitet e para të fillores. “Liceu” është zbukuruar, pemët e rrugës së Radiotelevizionit… Mendoj që janë kujtimet që na lidhin me të kaluarën. Tetëvjeçaren e kam kryer te shkolla “Fan Noli” dhe zona e Pazarit të Ri është shumë më e bukur tani se sa ka qenë më përpara. Tirana më duket një qytet që ka goxha dinamikë, një qytet me jetë”.
Megjithatë, ai ka një këshillë për bashkëqytetarët e tij. Ndërsa të rinjtë po bëhen më të vetëdijshëm për aktivitetin fizik, moshat e mëdha mbeten robër të një stili sedentar jetese. “Duhet të ndryshojë stili sedentar i jetesës, duhet të lëvizin, të ecin”, apelon kardiologu.
Në fund të ditës, si secili prej nesh, mjeku Ermir Tafaj i merr shqetësimet e punës me vete në shtëpi, por aty gjen mirëkuptimin e bashkëshortes së tij, e cila gjithashtu është mjeke nefrologe.
Një jetë e dedikuar tërësisht mjekësisë, ku rrahjet e zemrës kalojnë para së gjithash nga empatia njerëzore.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





