Siguria dhe cilësia e barnave, KLSH: Kontrolli i dobët, mungesë bashkëpunimi ndërinstitucional
Siguria dhe cilësia e barnave në Shqipëri mbetet një problem serioz. Një auditim i Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitet 2020–2023, i paraqitur në Nënkomisionin për Auditimin e Sektorit Publik, evidenton mangësi të theksuara në kontrollin dhe monitorimin e tregut farmaceutik.
Sipas raportit, sistemi ekziston në letër, por nuk zbatohet siç duhet në praktikë. Institucionet kryesore, si Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, nuk kanë arritur të sigurojnë kontrolle efektive.
Një ndër problemet kryesore është mungesa e analizave laboratorike. Shumë barna që hyjnë në treg nuk testohen, ndërsa në vitin 2020 nuk është kryer asnjë analizë për autorizimet e dhëna.
Raporti thekson gjithashtu se ligji për barnat nuk është plotësisht i harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian, duke lejuar qarkullimin e barnave të pa certifikuara. Barnat gjenerike përbëjnë rreth 80% të importeve.
Një tjetër shqetësim është hyrja e barnave të paregjistruara me leje të posaçme, të cilat nuk i nënshtrohen kontrolleve laboratorike dhe paraqesin rrezik për shëndetin.
Mangësi ka edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional, përfshirë shkëmbimin e të dhënave me doganat dhe partnerët ndërkombëtarë, çka mundëson qarkullimin e barnave të ndaluara në vendet e BE-së.
Raporti evidenton gjithashtu mungesë transparence në çmimet dhe gjurmimin e barnave në treg.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dhënë 35 rekomandime për përmirësimin e situatës, ndërsa pritet një seancë dëgjimore në Kuvend me Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përgjegjëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





