Sekreti i Luftës së Trojës në barkun e një mumieje/ Historiani Sokol Çunga për zbulimin e rrallë në Egjipt: Nuk është parë kurrë më parë
Arkeologët kanë bërë një zbulim që ka zgjuar botën e filologjisë dhe arkeologjisë. Një mision i Universitetit të Barcelonës, gjatë gërmimeve të kryera në Al-Bahnas (Oxyrhynchus), Egjipt, ka gjetur një mumje të epokës romake me një fragment të “Iliadës” së Homerit brenda barkut të saj.
Historiani, filologu dhe përkthyesi Sokol Çunga, në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, shpjegoi rëndësinë e kësaj gjetjeje. Sipas tij, deri më sot nuk janë regjistruar raste ku brenda trupit të një mumieje të gjendeshin tekste filologjike. “Për arsye të ritualeve të varrimit që lidhen me jetën pas vdekjes janë ndodhur në barkun e mumieve fragmente magjike, urata dhe lutje drejtuar personit dhe zotave. Ajo që është ndryshe në këtë rast është se brenda në barkun e një mumieje është gjetur një fragment mikroskopik i ‘Iliadës’ së Homerit”.
Fragmenti i përket Rapsodisë së Dytë, pikërisht pjesës ku Homeri liston me detaje 1186 anijet që morën pjesë në Luftën e Trojës. “Në këtë rast duken pak germa, mund të jenë dy ose tre emra anijesh në papirusin që është gjetur”.
Qyteti i Oxyrhynchus-it, që në greqisht do të thotë “hundëgjati”, referencë për një lloj peshku lokal, pati një zhvillim të hovshëm nën dinastinë Ptolemaike, e krijuar nga një prej gjeneralëve të Aleksandrit të Madh. “Pas vitit 332 pas vdekjes së tij, gjenerali merr pushtetin e Egjiptit në rivalitet me gjeneralë të tjerë. Ai krijon një dinasti duke qëndruar në fron rreth 200 vjet dhe quhet dinastia Ptolemaike”.
Ky qytet ka qenë një qendër kulturore ku arsimi në greqisht lulëzoi falë frymës helenistike. “Periudha e mbretërimit të Aleksandrit të Madh njihet si fillimi i periudhës helenistike. Vetë Aleksandri ishte i arsimuar në greqisht prej Aristotelit dhe ishte admirues i kësaj kulture. Duke përhapur mbretërinë e tij, përhapi dhe arsimin në greqisht, inkurajoi çeljen e shkollave dhe krijimin e bibliotekave. Edhe qytetet e ndërtuara mbartnin të njëjta tipare gjuhësore dhe kulturore, duke u përzierë me vendasit”.
Sipas Çungës, prania e fragmentit të “Iliadës” në barkun e mumies mund të jetë më pak “romantike” sesa duket. Gjatë procesit të mumifikimit, për të mbushur zgavrat e krijuara nga heqja e organeve, përdorej kartonazhi, objekte të mbledhura që shërbenin si material mbushës. “Mendoj që është rastësi. Nuk është çudi që ai që përgatit mumiet të mos dijë të lexojë. Dikush nuk e ka zgjedhur atë fragment aty enkas”, shprehet Çunga, duke shtuar se nëse kjo rezulton të jetë e qëllimshme, atëherë interpretimi dominant i traditës do të thyhej plotësisht.
Ky fragment i vogël mund të ndihmojë në botimet e ardhshme të kryeveprës homerike. Filologu thekson se çdo gjetje e re shërben për të “plotësuar vendet bosh” në mozaikun e letërsisë antike. “Tekstit standard të “Iliadës” që dimë sot do t’i shtohet dhe një shënim që në vitin 2026 u gjet në Oxyrhynchus ky fragment, i cili na korrigjon këtë pjesë të tekstit. Përkthimet e mëpasme duhet ta marrin parasysh këtë gjetje të re”.
Çunga solli edhe një shembull personal nga puna e tij në vitin 2021 me përkthimin e poeteshës Sapfo, ku fragmente të gjetura në papiruset e mumieve në vitin 2014 ndryshuan rrjedhën e përkthimit, duke përkthyer e përfshirë në botim tre poezi që bota nuk i njihte më parë.
Misioni i Universitetit të Barcelonës, i nisur që në vitin 1992, mbetet një nga projektet kërkimore më jetëgjatë. Zbulimet e fundit, të cilat do të ekspozohen për publikun deri më 11 maj 2026, pritet të ridimensionojnë njohuritë tona jo vetëm për mumiet, por për të gjithë kulturën e varrimit dhe trashëgiminë e papirusëve që rëra e Saharasë i ka ruajtur me xhelozi për mijëvjeçarë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




