Integrimi Evropian, Rama mbledh kabinetin qeveritar dhe Grupin Parlamentar të PS: Në fokus siguria ushqimore

Integrimi Evropian ishte në fokus të takimit të përmuajshëm që kryeministri Edi Rama bën me kabinetin dhe grupin parlamentar këtë të hënë (27 prill).
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka paraqitën raportet respektive dhe detyrimet që duhet të përmbushen gjatë këtij rrugëtimi.
Parashikimi është që deri në fund të vitit Shqipëria të mundë të mbyllë 10 kapitujt, ndërsa sfida kryesore mbetet siguria ushqimore dhe çështja e pronave.
Mësohet se kryeministri ka ngritur shqetësimin për sigurinë ushqimore, duke kërkuar intensifikim të kontrolleve që subjektet të përmbushin kriteret evropiane, pasi qindra prej tyre rrezikojnë të mbyllen ose të bllokohen kur vendi të anëtarësohet.
“Kjo ka bërë të mundur angazhimin e të gjitha strukturave dhe agjencisë së sigurisë ushqimore, ndërsa kryeministri Edi Rama ka kërkuar kontrolle të vazhdueshme deri në përmbushjen e standardeve, edhe te një subjekt i vetëm, pasi ka me qindra subjekte që nuk përmbushin atë që kërkohet nga BE. Duket se siguria ushqimore, pas pronave, mbetet një çështje e rëndësishme që do të duhet të përmbushë vendi deri në anëtarësim në BE”, raportoi gazetarja e RTSH-së Denada Shkodrani.
Sikurse raporton gazetarja e RTSH-së, gjatë pjesës së parë ka pasur raportim nga kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla në lidhje me takimet që kanë nisur prej disa javësh në të gjithë territorin, ku ministra dhe deputetë kanë takime me qytetarët. Po ashtu, është bërë edhe raportimi më pas për zgjedhjet që po zhvillohen në të gjitha organizatat e PS.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka raportuar në lidhje me qasjen e tij të diplomacisë shqiptare, duke u përqendruar në negociatat në BE.
Po ashtu ka raportuar edhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka për detyrimet që duhen plotësuar në procesin e integrimit të vendit në BE.
Parashikohet që do të jetë vetë kryeministri Rama që do ta përmbyllë me fjalën e tij këtë takim.
Kujtojmë se qeveria ka dorëzuar në Kuvend raportin për ecurinë e procesit të anëtarësimit në BE.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




