Alergjitë- Imunoterapia mes skepticizmit dhe shkencës, mjeku: Nuk është vaksinë, ka zero efekte anësore
Ashpërsimi i simptomave të alergjisë dhe shpesh precipitimi deri në astmë bronkiale bën që pacientët të kërkojnë zgjidhje afatgjatë.
Një nga këto është imunoterapia për alergjitë, ku marrja e dozave të vogla të alergenit synojnë të ndryshojnë mënyrën sesi reagon sistemi imunitar ndaj tij dhe jo vetëm të lehtësojë simptomat. Por shpesh janë skeptik për këtë duke e krahasuar trajtimin si vaksinë.
Prof. Mehmet Hoxha sqaron për RTSH së kjo procedurë është një nga 4 shtyllat e trajtimit të alergjive dhe siguria dhe efikasiteti janë të provuara me fakte shkencore.
“Është një imunoterapi që përdoret për më shumë se 120 vitesh në të gjithë botën. Rimbursohet në shkallë të ndryshme në të gjithë botën. Për sigurinë nuk bëhet fjalë, nuk ka vend as për frikë dhe as për stigmë. Ka zero efekte anësore, ose shumë minimale, kryesisht të lidhura me momentin e ekzekutimit të imunoterapisë. Ndërsa në afatgjatë, në perspektivë, nuk bëhet fjalë për efekte anësore në mbrojtjen imunologjike”, tha Hoxha.
Alergologu Hoxha saktëson se ajo përdoret vetëm kur plotësohen kriteret dhe pas vlerësimit të alergologut përmes testeve që saktësojnë shkakun primar të alergjisë.
“Nëse është mono i sensibilizuar ose polis i sensibilizuar, para se të fillosh imunoterapinë, ti duhet të përcaktosh kush është molekula primare e sensibilizimit dhe kush është sekondare, në mënyrë që imunoterapinë ta bësh për primaren. Por alergologu duhet të jetë i kujdesshëm në përcaktimin e molekulës përgjegjëse dhe sot kjo është plotësisht e mundur me testet e alergjisë molekulare”, tha alergologu.
Mjekët theksojnë se Imunoterapia është e përshtashme si strategji afatgjatë dhe jo si zgjidhje e shpejtë.
Përmirësimi kërkon kohë, muaj e vite për të dhënë efekt maskimal.
Ajo rekomandohet kur alergjia është e konfirmuar, simptomat janë gjatë gjithëvitit, ilacet nuk japin më efekt dhe kur ka komponent astmatik.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





