Milano, Ministrja Sala prezanton strategjinë kombëtare për implementimin e Inteligjencës Artificiale në shëndetësi

Shëndet | 5 muaj më parë

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, prezantoi në Milano të Italisë strategjinë kombëtare për përdorimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi, me fokus onkologjinë, gjatë Kongresit të Parë të Inteligjencës Artificiale në Onkologji, organizuar nga Shoqata Europiane për Inteligjencën Artificiale dhe Kërkimin Shkencor për Tumorin, e drejtuar nga mjekja shqiptare Arsela Prelaj.

Në fjalën e saj, ministrja Sala vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në avancimin e shkencës dhe në mbështetjen e reformave të shëndetësisë në Shqipëri, veçanërisht në fushën e onkologjisë dhe inovacionit teknologjik.

“Jam shumë krenare sepse presidentja e Shoqatës organizuese të Kongresit është një mjeke onkologe shqiptare, pjesë e diasporës. E asaj diaspore që po na ndihmon aktivisht në përmirësimin e sistemit onkologjik në Shqipëri, që nga Instituti i Onkologjisë, tek qendrat rajonale të onkologjisë dhe Rrjeti Shqiptar i Onkologjisë”, u shpreh ajo.

Sala theksoi se gjatë pjesëmarrjes në këtë kongres është prezantuar strategjia e qeverisë shqiptare për inteligjencën artificiale, inovacionin dhe digjitalizimin në shëndetësi, me fokus të veçantë shërbimin onkologjik, një prioritet i rëndësishëm në transformimin e sistemit shëndetësor në vend.

“Po punojmë me intensitet për ndërthurjen e sistemeve digjitale, për përmirësimin e teknologjisë, si dhe për implementimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi. Shqipëria është një vend i vogël ku po ndërthurim teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, duke krijuar një model në rang kombëtar”, theksoi ajo.

Ministrja nënvizoi se ky transformim përbën një mundësi të rëndësishme për krijimin e një modeli të integruar kombëtar, i cili mund të shërbejë si praktikë e suksesshme edhe për vende të tjera.

Kongresi dyditor i Inteligjencës Artificiale në Onkologji, i organizuar nga Shoqata Europiane për Inteligjencën Artificiale dhe Kërkimin Shkencor për Tumorin, e drejtuar nga mjekja shqiptare Arsela Prelaj mblodhi në Milano ekspertë, studiues, mjekë dhe përfaqësues institucionesh nga vende të ndryshme të botës, për të diskutuar zhvillimet më të fundit në përdorimin e inteligjencës artificiale në diagnostikimin, trajtimin dhe kërkimin shkencor në onkologji.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme