Ulen rastet me talasemi në Lushnjë, vetëm dy fëmijë të lindur me sëmundjen e gjakut në pesë vitet e fundit

Shëndet | 5 muaj më parë

Numri i fëmijëve të lindur me talasemi në rreth Lushnjë, Fier dhe Berat, është përgjysmuar. Në pesë vitet e fundit janë regjistruar vetëm dy lindje me këtë sëmundje, të dyja nga prindër mbartës të talasemisë.

Ulja e ndjeshme e rasteve te fëmijët ka sjellë edhe reduktim të numrit të pacientëve të vegjël që kanë nevojë për transfuzione të vazhdueshme gjaku. Aktualisht janë 8 fëmijë që kryejnë transfuzionet periodike pranë Bankës së Gjakut në Lushnjë.

Sipas të dhënave të Qendrës Rajonale të Hemoglobinopative, nga 250 pacientë që trajtoheshin në vitin 2020, sot numri ka rënë në 107 pacientë.

“Unë kam prej 28 vitesh që marr gjak në spitalin e Lushnjës. Apeli është që të dalin gjithë shqiptarët të ndërgjegjësohen dhe të dhurojnë sa më shumë gjak”, u shpreh një pacient.

“Shumë mirë, na është përgjigjur banka e gjakut. Nuk ka munguar, pastaj plus njerëzit tanë edhe vijnë kontribuojnë, dhurojnë”, tha një tjetër.

“Bëjmë një apel, një thirrje për të tërë popullin, për të tërë të rinjtë të dhurojnë sa më shumë gjak se shpëton një jetë”, tha një paciente.

Gjatë vitit 2025 kanë dhuruar gjak 547 persona, duke e bërë më të përballueshëm sigurimin e sasive të nevojshme për pacientët talasemikë.

Vetë pacientët që marrin transfuzione në spitalin e Lushnjës shprehen se sot nuk përballen më me vështirësitë e dikurshme për sigurimin e flakonëve të gjakut çdo 21 ditë, problem që deri pak vite më parë ishte i vazhdueshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme