Mos neglizhoni nishanet, mjekët paralajmërojnë: Mund të jetë melanoma, lexoni trupin tuaj
Melanoma, kanceri më agresiv i lëkurës, i treti ndër tumoret për shkak të përhapjes së metastazave që në fazat e hershme, është në rritje. Sipas të dhënave të ISHP, 84 raste të reja u regjistruan në 2024, por ky numër është më i madh për shkak të rasteve që nuk referohen në spital dhe trajtohen jashtë.
Mjekët rritjen nuk e shohin vetëm si shkak të ekspozimit në diell por edhe rritjes së numrit të kontrolleve që sjellin një diagnozë.
“Grupmosha më e shpeshtë e cila vuan nga këto probleme është grupmosha pas të 40-ave. Megjithatë nuk duhet të përjashtohen edhe raste ekstreme pasi kemi hasur edhe raste në mosha pediatrike të shfaqjes së melanomës apo të lezioneve të cilat janë të predispozuara për t’u shndërruar në melanoma”, tha dermatologia Erjona Shehu.
Hartëzimi i nishaneve dhe dokumentimi i tyre përmes fotove makro dhe mikroskopike janë domosdoshmëri thonë dermatologët.
“Melanoma mund të zhvillohet edhe në një lezion, në një nishan ekzistues, mund të dali edhe e re fare që ne nuk e kemi pasur. Pra, në momentin që ne shohim që një nishan ekzistues ka pësuar ndryshime apo shohim që kemi një dalje të një lezioni apo një nishani të ri, automatikisht kjo duhet të na çojë tek dermatologu. Dhe në varësi të asaj çfarë vlerëson dermatologu, bëhen rikontrollet përkatëse që mund të jenë pas tre, gjashtë apo edhe 12 muajsh”, tha ajo.
Njohja e trupit dhe leximi i shenjave është thelbësor për çdo individ. Mjekët tërheqin vëmendjen të jemi të kujdesshëm ndaj nishaneve që dalin sidomos në disa zona që janë jo të zakonshme
“Pëllëmbët e duarve, shputat e këmbëve, goja, pjesa e brendshme dhe zona gjenitale. Janë zona të cilat ne duhet t’i mbajmë në observim nëse kemi ndonjë dalje të re apo ndonjë nishan siç mund të quhet. Pra qellza e sipërme dhe të mos harrojmë edhe sytë. Edhe e bardha e syve duhet kontrolluar herë pas here se mos ndodh që kemi ndonjë ndryshim”, tha dermatologia.
Fatmirësisht miti që nishanet nuk preken ka rënë, dhe ndërgjegjësimi për trajtimin e tyre është rritur, por sjelljet tona karshi rrezatimit diellor që është edhe shpërthyesi kryesor i melanomës janë ende jo korrekte në pjesën më të madh të kohës.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





