Dy pacientë shpëtojnë nga verbëria në QSUT falë vitrektomisë, mjekët: Kirurgjia e segmentit posterior po rikthen shpresën për shikimin

Shëndet | 5 muaj më parë

Pas rreth 20 vitesh pritje, në klinikën universitare të okulistikës në QSUT, u realizua për herë të parë vitrektomia, një ndërhyrje kirugjikale e segmentit posterior ku kirurgu heq një lëng në formë xheli që ndodhet brenda syrit, që quhet “trupi qelqor” ose vitreusi.

Prof. Ali Tonuzi, i cili ka asistuar dy paciente me humbje të shikimit, sqaron se rasti I parë , një grua mbi 55 vjeç, kishte inflamacion kronik që i kishte trubulluar segmentin posterior të retinës e për vite nuk shihte më.

“Për fat të keq I kishte të dy sytë me turbullime të pamjes. Kishte vite që nuk shikonte, kishte vetëm ndjesinë e dritës dhe të hijes në të dy sytë. U pastru plotësisht vitrozi dhe u bë heqja e membranës në rregjionin macular që rrit cilësinë e pamjes dhe një endolazer në perferi (lazer gjatë kirurgjisë ) një operacion relativisht jo vështirë që u realizua me sukses . Kjo e sëmurë ka parë që të nesërmen sepse u hoq pengesa. Ajo nuk është më invalide sepse sot sheh shumë qartë televizor madje e lexon titrat e filmave të përkthyer”, tha mjeku.

Pacientja e dytë kishte turbullim të lenteve intra-okulare pasi ishin prishur pas 15 vitesh përdorim.

 “Edhe tek kjo paciente u hoq lentja që ishte e prishur dhe u vendos një tjetër të pastër intraokulare. Edhe kjo kërkon kirurgji të segmentit posterior. Pacientja fillojë të shohë shumë mirë që ditën e dytë ndërkohë që rikuperimi I plotë vijon pasi nuk është I menjëhershëm”, tha ai.

Kjo lloj kirurgjie u realizua falë pajisjes së mikroskopit operator të mbështetur nga Banka Botërore ndërkohe që materialet që përdoren janë shumë të shtrenjta. Më parë pacientët dërgoheshin drejt Turqisë. Sot mjekët shpresojnë që kjo procedurë të vijojë të mbështetet me investime që pacientët me infeksione apo dëmtime të retinës të mos verbohen.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme