Të rinjtë shqiptarë protestojnë sot në Shkup për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe
Të rinj nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria si dhe vise të tjera shqiptare pritet të mblidhen pasditen e sotme në Shkup për të protestuar kundër mos përmbushjes së kërkesës së studentëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për mbajtjen e provimit e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Nën moton “Bashkohuni me Studentët, Të gjithë Një”, protesta e studentëve shqiptarë do të mbahet para Urës së Gurit në Shkup, duke nisur nga ora 16:30 e kësaj të hëne. “Së bashku para Urës së Gurit për gjuhën tonë”, shkruhet në një njoftim të studentëve, ku vihet në pah rëndësia e mbrojtjes së përdorimit të gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale në vend.
Protesta e kësaj të hëne vjen pas asaj që u mbajt në fillim të prillit nga studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët kërkuan respektim të ligjit për gjuhët në zhvillimin e provimit të jurisprudencës që vijonte të mbahej në gjuhën maqedonase, pavarësisht statusit zyrtar të gjuhës shqipe në vend.
Sipas studentëve, mbajtja në gjuhën maqedonase të provimit të jurisprudencës, që është i domosdoshëm për ushtrimin e profesioneve si avokat, gjyqtar apo prokuror, krijon vështirësi për kandidatët shqiptar, dhe pabarazi pasi ndikon në përfaqësimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




