Protesta në Shkup, Rashidi: Studentët thonë “zbatoni ligjin”

Maqedonia e Veriut | 4 muaj më parë

Analisti dhe gazetari në Maqedoninë e Veriut, Nazim Rashidi, ka komentuar protestën e studentëve që kërkojnë zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në emisionin “3D”, Rashidi theksoi se në vend janë bërë disa të drejta për komunitetet, por sipas tij ato nuk janë ende në nivelin maksimal, duke krijuar një vakum institucional që, siç u shpreh ai, po sjell edhe presione nga studentët që kërkojnë zbatimin e ligjit.

“Nëse i referohemi ligjit për gjuhët, ligji quhet ‘Ligji për gjuhët’ dhe nuk thotë vetëm maqedonisht apo vetëm gjuhën shqipe. Ligji në vetvete thotë që, nëse nuk është bërë harmonizimi i plotë, atëherë zbatohet parimi i ligjit”, u shpreh Rashidi.

Ai shtoi se çështja duhet të zgjidhet dhe të mos mbetet në interpretime të ndryshme, duke theksuar se nuk duhet krijuar një narrativë mbi përgjegjësinë, por të fokusohet zbatimi i rregullave ekzistuese.

“E them me shumë sinqeritet që çështja duhet të zgjidhet dhe jo të hyjë në nuanca dhe interpretime. Nuk mund të hyjmë në interpretime për hir të atyre të rinjve. Problemi është se nuk duhet të hyjmë në një narrativë se kush e kishte fajin”, shtoi ai.

Sipas tij, studentët kërkojnë thjesht zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës, ndërsa institucionet duhet të japin zgjidhje të qartë për situatën.

“Janë bërë disa të drejta, por nuk janë maksimale; pra është krijuar një vakum dhe ne kemi presione, në rastin konkret nga studentët të cilët thonë: ‘Zbatoni ligjin’. Dhe tani përfaqësuesit thonë se janë me studentët, por pyetja është: çfarë kërkojnë studentët? dhe të këtij ligji ashtu siç është”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme