Ebola/ Epidemiologu i ISHP-së: Shqipëria nuk është e rrezikuar, shmangni udhëtimet drejt vendeve të prekura

Shëndet | 4 muaj më parë

Shqipëria nuk paraqet rrezik nga virusi Ebola, veçanërisht popullata e përgjithshme. Autoritetet shëndetësore nuk inkurajojnë udhëtime drejt vendeve ku raportohen raste me Ebola ndërkohë theksojnë se situata po monitorohet në porte dhe aeroporte për idenfikimin e rasteve të dyshuara .

Për personat që duhet të udhëtojnë për arsye pune apo emergjencash, janë dhënë udhëzime dhe informacione të detajuara mbi masat mbrojtëse dhe simptomat e sëmundjes.

“Jo vetëm Shqipëria që nuk është e rrezikuar, por as gjithë kontinenti europian nuk është i rrezikuar. Flasim për popullsinë e përgjithshme. Nuk inkurajohet udhëtimi nga këto zona”, u shpreh epidemiologu në ISHP, Artan Simaku.

Në rast se një udhëtar dyshohet ose konfirmohet i infektuar, ai izolohet menjëherë .

“Udhëtarët janë të informuar që mos të kenë kontakt me personat të sëmurë dhe me këto kafshët e egra, të sëmura, të infektuara. Monitorohen, vetë izolohen, vendosen kontakt të menjëhershëm me shërbimin shëndetësor për monitorimin e tyre”, shtoi Simaku.

Ky i fundit sqaroi më tej dhe rrugët e infektimit dhe shenjat që shfaq ky virus vdekjeprurës.

“Rruga e transmetimit është vetëm nga kontakti i ngushtë me një person të sëmurë, me gjakun e këtij personi, me sekresionet e tjera dhe lëngjet e tjera trupore ose dhe kontakti i ngushtë me kafshët e ekra të infektuara ose të ngordhura dhe fillojnë si një grip i rëndë. Pastaj fillojnë fenomene gastrointestinale dhe fenomene hemorragjike në lëkurë dhe në mukoza”, deklaroi Simaku.

Virusi Ebola transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, lëngjet trupore ose indet e personave të infektuar, si edhe nga kontaktet me sipërfaqe apo materiale të kontaminuara. Sëmundja e ka periudhën e inkubacionit deri në 21 ditë dhe nuk transmetohet përmes ajrit si gripi apo virozat e zakonshme.

Instituti i Shëndetit Publik apelon për informim të saktë dhe shmangie të panikut, duke theksuar se aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar në Shqipëri.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme