Debatet për investimet në Zvërnec, Rama: Shteti nuk po fal asgjë, është tokë private

Politikë | 5 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatin publik të krijuar mbi një projekt në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar si “lajm të rremë” pretendimin se shteti po fal pasuri publike.

Rama u shpreh se nuk bëhet fjalë për asnjë falje të pronave shtetërore, duke theksuar se në rastin e Zvërnecit shteti nuk disponon asnjë pasuri atje, pasi zona që po jepet për investim është pronë private.

“Për zhurmën e madhe të ngritur mbi një lajm të rremë, sa nuk thuhet se gjoja shteti po fal Zvërnecin, sqaroj se shteti nuk po fal asgjë, pasi aty nuk ka asgjë për t’u falur. Ajo është pronë private dhe investitorët e përfshirë në atë proces janë seriozë dhe atë rol e kanë marrë nga privatët”, tha ai.

Ai shtoi se roli i shtetit lidhet me një tjetër pjesë të projektit, konkretisht në zonën e Sazanit, ku, sipas tij, ende nuk kanë përfunduar negociatat dhe ku është i përfshirë edhe Korporata Shqiptare e Investimeve.

“Shteti, nga ana tjetër, ka pasuri në anën tjetër të projektit, që është Sazani, ku ende sot nuk kanë përfunduar negociatat, pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e projektit. Shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka e ishullit do të mbetet pronë e shtetit shqiptar”, tha Rama.

Deklarata e Ramës vjen në kuadër të debatit publik mbi projektet zhvillimore në zonën bregdetare të Zvërnecit, ku banorët dolën në protestë me kërkesat që të mos preket zona e mbrojtur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme