Putin mohon sulmin me dron në Rumani, Bukureshti dëbon konsullin rus pas goditjes së një blloku apartamentesh

Botë | 5 muaj më parë

Një incident i rëndë me dron në kufirin rumuno-ukrainas ka ndezur reagime të ashpra diplomatike dhe deklarata të forta mes palëve. Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi së fundmi se është ende shumë herët për të thënë nëse droni që u rrëzua në Rumani ishte i tyre. Gjatë një konferencë shtypi në Kazakistan, kreu i Kremlinit theksoi  se askush nuk mund ta përcaktojë origjinën e mjetit fluturues pa u bërë më parë një ekzaminim zyrtar. 

“Në fund të fundit, ne e dimë që dronët ukrainas kanë fluturuar edhe në Finlandë, në Poloni dhe në vendet baltike. Reagimi fillestar ishte saktësisht i njëjtë me atë në Rumani: ‘Ndihmë, rusët po vijnë, rusët po sulmojnë’. Pastaj, pas një kohe të shkurtër, doli se ata nuk kishin të bënin fare me avionët rusë”- u shpreh ai.

Presidenti i Rumanisë mblodhi më herët Këshillin e Mbrojtjes dhe njoftoi masa të forta diplomatike ndaj Moskës. Autoritetet rumune vendosën dëbimin e Konsullit të Përgjithshëm rus dhe mbylljen e Konsullatës ruse në qytetin e Kostancës, pranë Detit të Zi.

Pas incidentit, NATO dhe Shtetet e Bashkuara reaguan menjëherë duke garantuar mbrojtjen e plotë të çdo pëllëmbe të territorit aleat. Goditja është dënuar ashpër edhe nga Bashkimi Europian si dhe nga vende të tjera, si dhe Shqipëria. Ky është rasti i parë që nga nisja e luftës në Ukrainë kur një dron godet një ndërtesë banimi në territorin rumun.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme