Kongresi i Mjekëve Shqiptarë në Europë, mjekja Dollenberg: Shqiptarët po abuzojnë me antibiotikët. Po shkatërrojnë imunitetin me ilaçe pa kriter
Mbi 1.000 mjekë dhe profesionistë shqiptarë të shëndetësisë nga vende të ndryshme të Europës morën pjesë në Kongresin e 27-të të Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë, një aktivitet që u zhvillua në Tiranë dhe që u fokusua në sfidat më të rëndësishme të shëndetit publik.
Presidentja e federatës, Aurora Dollenberg, deklaroi se një nga temat kryesore të diskutimit ishte rezistenca ndaj antibiotikëve, një problem që sipas saj po merr përmasa alarmante në Shqipëri dhe në rajonin shqipfolës.
Gjatë një interviste në “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, mjekja Dollenberg e cilësoi Kongresin e 27-të të Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, si një nga ngjarjet më të mëdha profesionale të komunitetit mjekësor shqiptar.
Sipas saj, një nga temat kryesore të kongresit ishte antibiotikorezistenca, një problem që po shfaqet me intensitet të lartë në Shqipëri dhe në vendet e tjera shqipfolëse. Ajo paralajmëroi se përdorimi i antibiotikëve pa rekomandim mjekësor, veçanërisht për gripin dhe infeksionet virale, po krijon pasoja serioze për shëndetin publik.
“Pacientët shpesh kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe nisin antibiotikët pa pritur vlerësimin e mjekut. Kjo sjellje po kontribuon në rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve dhe po e bën gjithnjë e më të vështirë trajtimin e infeksioneve të rënda”, u shpreh ajo.
Dollenberg theksoi se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi pacientët, por mbi të gjithë aktorët e sistemit shëndetësor, duke përfshirë mjekët, farmacistët, infermierët dhe laboratorët. Sipas saj, çdo ndërhyrje jashtë kompetencave profesionale mund të krijojë pasiguri tek pacienti dhe të ndikojë negativisht në trajtimin e tij.
“Pacienti shqiptar edhe për një grip të thjeshtë shkon direkt pa recetë në farmaci dhe merr antibiotikun sepse mendon se është zgjidhja më e shpejtë. Kjo nuk mund të mbetet pa pasoja. Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të ndryshojmë psikologjinë mbi mjekësinë dhe sidomos mbi abuzimin ndaj medikamenteve”, tha ajo.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe rolit të inteligjencës artificiale në mjekësi. Dollenberg vlerësoi potencialin e teknologjisë si mjet ndihmës, por paralajmëroi se pacientët nuk duhet të mbështeten tek platformat e inteligjencës artificiale për të marrë vendime diagnostike ose terapeutike.
“Kur bëhet fjalë për medikamente dhe hapa diagnostikë, unë i këshilloj pacientët të mos konsultojnë GPT-në dhe ta marrin si bazë për trajtim. Mjekun nuk mund ta zëvendësojë inteligjenca artificiale”, tha Dollenberg.
Duke folur për gjendjen e sistemit shëndetësor shqiptar, ajo tha se problemet kryesore lidhen me nevojën për më shumë koordinim, komunikim profesional dhe digitalizim të të dhënave mjekësore. Një sistem i integruar i kartelave shëndetësore, sipas saj, do të shmangte përsëritjen e trajtimeve dhe përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





