Dorëhiqet Zv. Kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Mickoski konfirmoi largimin e Arben Fetait nga detyra 

Maqedonia e Veriut | 4 muaj më parë

Arben Fetai njoftoi dorëheqjen nga posti i Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Qeverisjen e Mirë. Përmes një postimi në mediat sociale, politikani shqiptar nga radhët e VLEN u shpreh se vendimi i tij është i mirë menduar.

“I dorëzova Kryeministrit dorëheqjen time nga detyra e Zëvendëskryeministrit përgjegjës për Qeverisjen e Mirë. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jo falenderues. A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo”- shkruan ai në letrën e dorëheqjes, duke theksuar se ka punuar me përkushtim maksimal.

“Në rrethanat aktuale vlerësoj se nuk ekzistojnë më kushtet e nevojshme për ta ushtruar këtë detyrë me efektivitetin e duhur.”- deklaroi Fetai. Dorëheqja e Zv. kryeministrit shqiptar u konfirmua edhe nga kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski.

Ky i fundit deklaroi se pasuesi i Fetait do të vendoset pas konsultimeve me partnerët e koalicionit, ndërsa shtoi se brenda muajit do të bëhet rikonfigurimi i qeverisë. Nga ana e tij, VLEN, koalicioni shqiptar në bashkëqeverisje me VMRO-DPMNE-në vlerësoi Arben Fetain për kontributin e deritanishëm. Mediat në shtetin fqinj kanë raportuar se  Fetai prej disa muajsh nuk merrte pjesë në mbledhjet e qeverisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme