I nxehti i verës shton problemet kardiake/Mjekët: Kujdes të shtuar, sidomos për moshat e treta dhe të sëmurët kronikë
Temperaturat e larta të verës rrisin rrezikun e infarktit dhe komplikacioneve të tjera kardiake, veçanërisht tek personat e moshuar dhe pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës.
Sipas mjekut kardiolog në spitalin e Shkodrës Edi Smajlaj, temperaturat e larta ndikojnë në sistemin kardiovaskular, duke e vendosur organizmin nën stres më të madh dhe duke shtuar mundësinë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore tek pacientët me probleme të zemrës.
“Ekspozimi në temperatura të larta i vendos njerëzit në rrezik të shtuar. Kjo kategori janë kryesisht të moshuar por edhe të sëmurë kronikë”, u shpreh Smajlaj.
Mjeku apelon që qytetarët të tregojnë kujdes dhe të mos neglizhojnë shenjat paralajmëruese që mund të sinjalizojnë probleme serioze me zemrën.
“Mund të jenë dhembje gjoksi, marrje fryme, marrje mendsh. Nëse keni këto shqetësime mos prisni por drejtohuni tek mjeku i familjes”, tha ai.
Specialistët këshillojnë që gjatë ditëve me temperatura të larta të shmanget ekspozimi i zgjatur në diell, të konsumohet mjaftueshëm ujë dhe të ndiqen me korrektësi terapitë e përshkruara për sëmundjet kardiake.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





