Raporti i RTSH për 2025, Beci: Të rritet tarifa e pajisjes, kjo kërkon vullnet politik. Dalja nga kriza nuk bëhet pa financime
Nënkryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Petrit Beci, deklaroi se situata në transmetuesin publik mbetet e ndërlikuar dhe e ndikuar nga një krizë e gjatë strukturore dhe financiare.
Sipas Becit, një nga faktorët që ka sjellë lëvizje pozitive në kufizimin e shpenzimeve dhe në marrëdhëniet me EBU lidhet me klimën e krijuar mes Këshillit Drejtues dhe drejtorisë së institucionit. Ai theksoi se ngërçi i mëparshëm ka thelluar krizën e RTSH-së, e cila sipas tij ka mbi 10 vite që vijon.
“Një nga arsyet që ka një lëvizje pozitive në kufizimin e shpenzimeve dhe në marrëdhëniet me EBU ka të bëjë edhe me klimën e krijuar mes Këshillit Drejtues dhe drejtorisë së institucionit, pasi ky ngërç e ka thelluar krizën që ka ky institucion, e cila ka mbi 10 vite që ka filluar. Ne konstatojmë problemin, por askush nuk jep zgjidhje. RTSH vetë nuk mund të japë zgjidhje përveçse të ulë shpenzimet deri në kufijtë e mundshëm. Në fund të vitit 2026, pritet të arrihet në limitin e mundshëm të uljes së shpenzimeve.
E vetmja gjë që ka në dorë RTSH, sipas planit të EBU-së, është edhe një reduktim i numrit të punonjësve, i cili do të bëhet hap pas hapi. Vetë raporti i EBU-së është afatgjatë”, tha Beci
Ai tha gjithashtu se, sipas planit të EBU-së, një nga masat e parashikuara është edhe reduktimi gradual i numrit të punonjësve si dhe rritja e tarifa është vendosur rreth 15 vite më parë dhe se, sipas tij, të ardhurat e qytetarëve shqiptarë janë dyfishuar që nga vendosja e saj. Ai theksoi se çështja e financimit kërkon vullnet politik.
Beci shtoi se dalja nga kriza nuk mund të arrihet pa financime shtesë, ndërsa RTSH ndodhet aktualisht në stanjacion financiar.
“Së pari, duhet theksuar se ka 15 vite që është vendosur tarifa, dhe unë përsëris se të ardhurat e qytetarëve shqiptarë janë dyfishuar që nga momenti kur është vendosur taksa prej 100 lekësh. Kjo çështje nuk zgjidhet më vetëm në negociata me OSHEE-në; këtu nevojitet vullnet politik. Nuk krijohen as probleme sociale, pasi qytetarët me të ardhura minimale kompensohen siç ndodh në gjithë botën.
Pra, nuk paguhet 1.5 dhe më pas kompensohet. Kjo është praktikë që zbatohet në shumë vende. Dalja nga kriza nuk bëhet pa financime dhe RTSH ka një situatë që është në stanjacion financiar. Janë rritur të gjitha kostot, përfshirë edhe blerjen e të drejtave, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt te RTSH”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




