Vasili thirrje Kuvendit: Reformat në RTSH kërkojnë financim, ndryshe mbeten vetëm në letër
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, ka deklaruar gjatë raportimit për bilancin vjetor të RTSH-së për vitin 2025 se institucioni po punon për një sërë planesh reformuese, por zbatimi i tyre mbetet i kushtëzuar nga mungesa e financimit.
Sipas Vasilit, RTSH është duke hartuar plane që lidhen me strukturën organizative, modernizimin, investimet dhe rishikimin e aseteve fizike të institucionit.
“Po punojmë për një plan për strukturën, për modernizimin, për investimet dhe për rishikimin e aseteve fizike. Jemi duke punuar, por këto plane kanë një faturë dhe problemi ynë i madh është pikërisht ky: gjithçka ka një kosto dhe çdo reformë që të realizohet ka një kosto”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e kapaciteteve të plota njerëzore, ndërsa nënvizoi se çdo reformë kërkon burime financiare të qëndrueshme për t’u realizuar.
Në këtë kuadër, Vasili tha se RTSH i është drejtuar Kuvendit dhe institucioneve të tjera për mbështetje, duke kërkuar që reformat të mos mbeten vetëm në nivel planifikimi.
“Pa mbulimin e kostove financiare, këto plane që ne mund të bëjmë mbeten vetëm në letër”, shtoi drejtoresha e RTSH-së
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




