Raporti vjetor i RTSH për 2025, Beci: Digjitalizimi i arkivit kërkon investime të mëdha

Nënkryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Petrit Beci, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, kanë folur mbi sfidat që lidhen me digjitalizimin dhe modernizimin e arkivit të transmetuesit publik.
Beci u shpreh se procesi i digjitalizimit të arkivit përbëhet nga disa faza, ku fillimisht duhet bërë restaurimi i materialeve, pasi sipas tij kostot aktuale të vlerësuara janë minimale dhe nuk reflektojnë realitetin e punës së nevojshme.
“Arkivi që do të digjitalizohet ka dy pjesë. Më pas është ruajtja si proces i veçantë. Pjesa e digjitalizimit të videos dhe audios për radion dhe televizionin kërkon fillimisht restaurim, pasi kostot e paraqitura janë minimale, madje të pamjaftueshme. Procesi është i gjatë dhe kërkon shumë financim”, u shpreh Beci.
Ai shtoi se përpara digjitalizimit duhet ndërtuar një sistem i plotë restaurimi dhe më pas të realizohet kalimi i arkivit audio-viziv në format digjital, çka sipas tij kërkon kohë dhe investime të konsiderueshme.
Nga ana tjetër, Eni Vasili theksoi se drejtoria e IT-së po bashkëpunon ngushtë me Agjencinë e Sigurisë Kibernetike, ndërsa projekti kërkon një plan të qartë investimi dhe mbështetje financiare.
Sipas saj, digjitalizimi dhe siguria kibernetike janë procese të lidhura ngushtë dhe për realizimin e tyre nevojitet një plan i qëndrueshëm financiar.
“Do të na duhet të gjejmë një plan për ta mbuluar edhe këtë proces”, u shpreh Vasili.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




