Panairi i Librit në Shkup – Botues, autorë dhe lexues nga mbarë hapësira shqiptare u bënë pjesë
Në Shkup u mbajt Panairi i Librit Shqip 2026, një aktivitet që mblodhi botues, shkrimtarë, studiues, lexues dhe dashamirës të kulturës shqiptare nga mbarë hapësira shqiptare. Për katër ditë me radhë, sheshi “Skënderbeu” në komunën e Çairit u kthye në një qendër të promovimit të librit, leximit dhe vlerave kulturore shqiptare. Organizatorët e aktivitetit theksuan rëndësinë e panairit si një pikëtakim mes autorëve dhe lexuesve, por edhe si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit kulturor mes shqiptarëve në rajon.
“Libri ka qenë gjithmonë udhëtimi më i sigurt i një kombi. Ai i ka mbijetuar kohëve më të vështira”, u shpreh Izet Mexhiti, Kryetar i Bashkisë së Shkupit
“Falënderoj të gjithë shkrimtarët tanë të cilët pasurojnë me veprën e tyre letërsinë shqipe dhe i japin jetë gjuhës sonë”, tha Irena Toçi, botuese.
“Ky është një event i jashtëzakonshëm i cili nuk ka vlerë vetëm për librin, për shkrimtarët për lexuesin por ka një vlerë kombëtare”, tha Namik Dokle, shkrimtar.
Panairi i Librit Shqip në Shkup u vlerësua si një ngjarje me rëndësi të veçantë për kulturën shqiptare, duke hedhur themelet për një traditë të re që synon të bashkojë çdo vit autorë, botues dhe lexues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Gazetare E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




