Forumi botëror i “The economist”, Sala: Shqipëria, reforma të thella për një sistem shëndetësor më të fortë dhe më gjithëpërfshirës

Rritja e numrit të rasteve me kancer po ushtron presion mbi të gjitha sistemet shëndetësore europiane duke e kthyer në sfidë nevojën për investime dhe strategji të kujdesshme. Në forumin botëror të kancerit, organizuar nga “The Economist” në Bruksel, ministrja e shëndetësisë Evis Sala, si folëse kyçe në këtë platforme të rëndësishme, tregoi se si Shqipëria po ndërmerr reforma në sektorin e onkologjisë për të rritur aksesin e pacientit që nga vendbanimi i tij si dhe cilësinë e barazisë në shërbime.
“Një nga reformat kryesore është reforma në onkologji, e bazuar në modelin ‘hub and spoke’. Kjo nis me krijimin e Institutit Onkologjik, një institut kombëtar në Tiranë, si dhe me decentralizimin e shërbimeve të kimioterapisë dhe imunoterapisë, në mënyrë që kujdesi të ofrohet sa më pranë pacientit duke shmangur mbingarkesën dhe përqendrimin në një pikë të vetme.Po ashtu, është bërë edhe modernizimi i pajisjeve kombëtare të radioterapisë, ku qendra kombëtare e radioterapisë shërben si e vetmja qendër kombëtare në vend”, tha Sala.
Pyetjes se cilat janë disa nga veprimet praktike që përmirësojnë sistemin e mbshtetjes së pacientit, minsitrja Sala ju përgjigj se ky sistem duhet të jetë i unifikuar në të gjithë hallkat dhe jo fragmentarizuar .
“I gjithë rrugëtimi i pacientit me kancer duhet të funksionojë si një zinxhir i vetëm për të mbështetur pacientin. Nuk mjafton të kesh shërbime të mira depistimi apo diagnostikim të hershëm nëse nuk ke, për shembull, kujdes të mirë terciar.
Pra, ajo që do ta përmirësonte këtë është një sistem i ndërlidhur, ku të gjitha këto fusha dhe shërbime punojnë së bashku në mënyrë të koordinuar. Dhe mendoj se këtu kemi një mundësi të madhe në Europë, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim, sepse me ndihmën e inteligjencës artificiale mund të bëjmë një hap të madh përpara, duke integruar realisht të gjitha shërbimet në një sistem të vetëm të bashkërenduar”, tha ajo.
Interesimit të ngritur se si mund të mësojnë sistemet nga njëri-tjetri minsitrja Sala tha se përvoja e çdo vendi vlen , qoftë i zhvilluar apo më pak i zhvilluar pasi edhe kur pak financim, ka kreativitet.
“Përvoja duhet të qarkullojë në të dy drejtimet, shkëmbimi i eksperiencave duhet të jetë reciprok. Por, është shumë e rëndësishme të dimë ta kapitalizojmë këtë kreativitet, si dhe të adresojmë një nga sfidat më të mëdha që kemi: burimet njerëzore. Duhet të punojmë në mënyrë kreative për të shmangur largimin e trurit. Sepse, në fund të ditës, Europa nuk është një e tërë nëse vendet më të pasura përfitojnë duke boshatisur vendet më të varfra nga profesionistët, vetëm për të përmirësuar shërbimet e tyre. Ajo që na duhet është të ruajmë kapitalin njerëzor brenda Europës”, tha Sala.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




