Spondiloartroza po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë, fizioterapisti Rudolf Karriqi: Telefoni, armiku më i madh i qafës
Spondiloartroza, një nga patologjitë më të përhapura degjenerative të shtyllës kurrizore, po prek gjithnjë e më shumë edhe moshat e reja.
Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, fizioterapisti Rudolf Karriqi shpjegoi se ndryshimet në stilin e jetesës, përdorimi i tepruar i telefonit dhe mungesa e aktivitetit fizik po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e rasteve.
Sipas Karriqit, spondiloartroza është një proces degjenerativ që prek vertebrat dhe nyjet e shtyllës kurrizore, duke shkaktuar formimin e osteofiteve, depozitime kalciumi që mund të irritojnë nervat dhe ligamentet përreth.
“Deri para disa vitesh kjo patologji shfaqej kryesisht pas moshës 50-vjeçare, por sot po e hasim shumë shpesh edhe tek të rinjtë. Një nga faktorët kryesorë është përdorimi i zgjatur i telefonit, që e mban qafën të përkulur për orë të tëra”, u shpreh ai.
Fizioterapisti theksoi se simptomat fillestare nuk duhen neglizhuar. Ngurtësia në qafë, shpimi i duarve, dhimbjet e kokës dhe marramendja janë ndër shenjat më të zakonshme.
“Në fazat e para pacientët ndjejnë ngurtësi në qafë dhe shpatulla, shpesh shoqëruar me mpirje të duarve dhe dhimbje koke. Në raste më të avancuara mund të shfaqen marramendje, të përziera dhe vështirësi në ecje”, tha Karriqi.
Ai rekomandoi që pacientët me simptoma të vazhdueshme të kryejnë ekzaminime të specializuara, përfshirë rezonancën magnetike, për të vlerësuar gjendjen e disqeve ndërvertebrore dhe praninë e osteofiteve.
Karriqi paralajmëroi se pozicioni i gabuar i qafës gjatë përdorimit të telefonit rrit ndjeshëm ngarkesën mbi shtyllën kurrizore.
“Në pozicion normal qafa mban rreth 5 kilogramë peshë, por kur përkulet vazhdimisht, ngarkesa mund të arrijë deri në 25 kilogramë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në konsumimin e strukturave vertebrale”, shpjegoi ai.
Sipas specialistit, në fazat akute pacientët duhet të konsultohen me mjekët neurologë, ortopedë ose reumatologë për trajtimin medikamentoz. Më pas, fizioterapia dhe ushtrimet e personalizuara luajnë rol kyç në rikuperim.
Ai theksoi rëndësinë e teknikave manuale, ushtrimeve për forcimin e muskujve të qafës dhe përmirësimin e qarkullimit të gjakut në zonat e prekura.
“Kur muskujt janë më të fortë, inflamacioni ulet dhe dhimbjet bëhen më të menaxhueshme. Aktiviteti fizik është një nga armët më të forta kundër kësaj patologjie”, tha Karriqi.
Fizioterapisti ngriti shqetësimin edhe për ndikimin e lagështisë në përkeqësimin e simptomave.
“Pacientët që jetojnë në ambiente me lagështi ose në katet e para të banesave raportojnë më shumë dhimbje dhe rikuperim më të ngadaltë. Shtëpitë duhet të jenë jo vetëm të bukura, por edhe funksionale dhe të shëndetshme”, u shpreh ai.
Karriqi rekomandoi aktivitet fizik të rregullt, ushtrime për forcimin e muskujve të qafës, shmangien e qëndrimeve të gjata në të njëjtin pozicion dhe kujdes gjatë ekspozimit ndaj kondicionerit pas djersitjes.
Ai foli gjithashtu për rëndësinë e kontrollit të niveleve të vitaminës D dhe magnezit, duke theksuar se suplementet duhet të merren vetëm sipas këshillës së mjekut dhe pas analizave përkatëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




