Qendra shëndetësore verore në Gjirokastër, 70 raste të trajtuara në 15 ditë
Për të dytin vit radhazi në Gjirokastër ka nisur funksionimin qendra shëndetësore verore. Me 2 mjekë dhe tre infermierë ajo gjatë gjithë sezonit do tu përgjigjet emergjencave shëndetësore të turistëve, por edhe banorëve vendas. Këtë vit qendra është vendosur në zonën e quajtur bashteja e teqesë, shumë pranë pazarit karakteristik, ku edhe lëvzja e turistëve është më e lartë.
“Personeli është zgjedhur nëpërmjet aplikimit online e hapur nga ministria dhe janë dy mjekë dhe tre infermere të cilët shërbejnë 24 orë në shtatë ditët e javës. Këtu ne nuk jemi në shërbim vetëm të turistëve sepse këtu afër nuk ka dhe qendër shëndetësore kështu që ne jemi në ndihmë edhe të banorëve që janë këtu”, deklaroi mjeku Arif Korro.
Që prej fillimit të qershorit kjo qendër ka ofruar shërbime shëndetësore për 70 persona.
“Veç vizitave të zakonshme ne kryejmë këtu edhe matjen e sheqerit në gjak, gliceminë, bëjmë dhe EKG, elektrokardiogram për rastet që janë rastet e sëmundjeve të zemrës. Në raste intoksikacionesh, helmime ushqimore ne mund të bëjmë dhe perfuzione. Para dy ditësh kemi pas një rast në një hotel afër nesh, afër qafës së pazarit. Shkova atje unë, ishte me një helmim ushqimor. I dhamë ndihmën që duhet të jepej”, deklaroi mjeku.
Gjatë sezonit të 2025 kjo qendër u dha ndihmë 600 personave, në raste të ndryshme emergjencash.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




