Përmeti nderon doktorin Ilir Ohri me titullin “Qytetar nderi” për kontributin e tij në mjekësi

Shëndet | 3 muaj më parë

Në një ceremoni të mbushur me emocione dhe respekt, në Përmet u dorëzua titulli “Qytetar Nderi i Përmetit”, akorduar pas vdekjes për Prof. Ilir Ohrin, një prej figurave më të spikatura të mjekësisë shqiptare. Ky vlerësim vjen si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e Anestezi-Reanimacionit, për përkushtimin ndaj pacientëve dhe për rolin e rëndësishëm në formimin e brezave të rinj të mjekëve. Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë, miq, kolegë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, si dhe qytetarë të shumtë që nderuan kujtimin dhe veprën e profesorit.

Familjarët e Prof. Ohrit e vlerësuan këtë titull si një nderim të veçantë për jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai mbeti gjithmonë i përkushtuar ndaj profesionit dhe njerëzve që kishte në shërbim.

“Nderimi me titullin “Nderi i qytetit të Përmetit” është një vlerësim që nderon jo vetëm punën, por edhe kontributin e Ilirit në përkushtimin ndaj njerëzve dhe shembullin që ai la nga pas”, deklaroi bashkëshortja e tij, Shpresa Ohri.

Kolegët kujtuan profesionalizmin dhe përkushtimin e Prof. Ohrit, duke vlerësuar rolin e tij në zhvillimin e Anestezi-Reanimacionit në vend.

“Ai është një nga themeluesit e shërbimit modern të anestezi reanimacionit dhe ka qenë drejtues i tij për 30 vite”, deklaroi Arben Boriçi. 

“Një ditë padyshim e paharruar për familjen, për ne miqtë, shokët që kemi punuar një jetë të tërë me Ilirin”, tha deputeti Tritan Shehu.

“Iliri të bënte që të dije si të mendoje”, tha kryetarja e komisionit për Ekonominë, Milva Ekonomi.

Përfaqësuesit e Bashkisë së Përmetit theksuan se ky titull është shprehje e mirënjohjes së qytetit për një personalitet që me punën dhe arritjet e tij i dha emër jo vetëm mjekësisë shqiptare, por edhe vendlindjes së tij.

“Ka njerëz që me punën dhe përkushtimin e tyre lënë gjurmë që nuk zbehen me kalimin e kohës. Profesor Ilir Ohr është një prej tyre”, tha kryebashkiakja Alma Hoxha.

Ceremonia u mbyll me mesazhe vlerësimi dhe respekti për figurën e Dr . Prof. Ilir Ohrit, ndërsa të pranishmit nënvizuan se kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten një frymëzim për brezat e ardhshëm dhe një krenari e përhershme për Përmetin.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme