Rama inauguron investimin në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”: Rreth 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale çdo vit në sistemin shëndetësor, vijojmë rritjen e pagave

Shëndet | 3 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në inaugurimin e ambienteve të reja të Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, investim që, sipas tij, e çon kujdesin për nënat dhe foshnjat në standardet më të mira evropiane. Kreu i qeverisë theksoi se zgjerimi i kapaciteteve, teknologjia moderne dhe kushtet e përmirësuara do t’i shërbejnë mbi 20 mijë pacientëve në vit, si edhe një trupe mjekësore të nivelit më të lartë.

Rama u shpreh se investimi krijon hapësira të reja që përmirësojnë cilësinë e shërbimit dhe e bëjnë më komod qëndrimin e nënave dhe foshnjave.

“Hapësira të reja i shtohen këtij materniteti dhe e bëjnë më të lehtë shërbimin, e bëjnë shumë më cilësor qëndrimin e nënave dhe fëmijëve që hyjnë e dalin nga ky maternitet. Transformimi i shëndetësisë është në sytë e të gjithë atyre që duan ta shohin. Sot në sistemin shëndetësor kemi shumëçka për të numëruar, por nuk kemi shumë nga problemet që kishim një dekadë më parë”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se sistemi shëndetësor ka lënë pas problematikat që dikur ishin të zakonshme, duke veçuar uljen e ndjeshme të infeksioneve pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

“Nuk kemi më numrin marramendës të infeksioneve postoperatorë që i mbanin njerëzit me ditë të tëra në spital pas operacionit, si rezultat i kushteve higjienike dhe instrumenteve mjekësore të dala boje. Afro 100 mijë ndërhyrje kirurgjikale kryhen në sistemin tonë shëndetësor, nga të cilat mesatarisht 65 deri në 70 mijë janë ndërhyrje në sallat e operacionit dhe 25 deri në 30 mijë të tjera janë ndërhyrje mikrokirurgjikale”, tha ai.

Sipas Ramës, këto shifra dëshmojnë për profesionalizmin e personelit shëndetësor dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit ndaj qytetarëve.

“Ky është një shërbim që flet për faktin se mjekët dhe infermierët në Shqipëri i shërbejnë publikut dhe shqiptarëve me përkushtim”, u shpreh kryeministri.

Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te lufta kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor, duke garantuar se qeveria do të vijojë përpjekjet për eliminimin e çdo forme ryshfeti dhe njëkohësisht do të vazhdojë rritjen e pagave për personelin mjekësor.

“Kjo është pjesë e objektivit tonë për ta pastruar tërësisht sistemin nga çdo kanal ku vjen llumi i ryshfetit. Ne kemi bërë çmos që pagat të rriten në mënyrë të vazhdueshme ndjeshëm, por të jeni të bindura se do vazhdojmë të rrisim pagat, të kujdesemi për mirëqenien e familjeve tuaja”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme