Studimi: Një analizë gjaku mund të parashikojë rrezikun e Alzheimerit deri në 10 vjet përpara simptomave

Një analizë e thjeshtë gjaku mund të ndihmojë në identifikimin e personave të shëndetshëm që janë në rrezik të lartë për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimerit në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore JAMA dhe të prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës së Alzheimerit.
Studiuesit u fokusuan te një biomarker në gjak, i njohur si p-tau217, një proteinë që lidhet me grumbullimin e pllakave amiloide dhe dëmtimeve në tru – shenja karakteristike të sëmundjes së Alzheimerit. Sipas rezultateve, personat me nivele shumë të larta të kësaj proteine kishin 38% rrezik për të zhvilluar dëmtime njohëse brenda pesë viteve dhe 78% rrezik brenda dhjetë viteve.
Studimi analizoi të dhënat e 2 684 të rriturve të moshuar, të cilët nuk shfaqnin probleme me kujtesën në momentin e përfshirjes në kërkim. Gjatë ndjekjes shumëvjeçare, 478 prej tyre zhvilluan dëmtime njohëse, duke u dhënë studiuesve mundësinë të vlerësojnë aftësinë parashikuese të testit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se testi nuk është ende gati për përdorim të gjerë si mjet parashikues për njerëzit pa simptoma. Ata nënvizojnë se nevojiten studime të mëtejshme dhe se, për momentin, rezultati i testit nuk do të ndryshonte rekomandimet mjekësore për një person të shëndetshëm.
“Prisni derisa testimi të mund të shoqërohet me një trajtim ose ndërhyrje konkrete,” tha autorja kryesore e studimit, Dr. Reisa Sperling. Ajo shtoi se këshillat mbeten të njëjta: ushqyerje e shëndetshme, aktivitet fizik, gjumë cilësor dhe angazhim social.
Sipas studiuesve, vlera kryesore e këtij testi në këtë fazë është se mund të ndihmojë në përzgjedhjen e personave me rrezik të lartë për prova klinike të barnave që synojnë të parandalojnë ose të vonojnë shfaqjen e Alzheimerit. Nëse këto trajtime rezultojnë të suksesshme, një analizë e tillë gjaku mund të bëhet një mjet i rëndësishëm për zbulimin e hershëm të sëmundjes
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





