Kujdes nga parazitët, specialistët apelojnë për trajtim të rregullt të kafshëve gjatë verës
Kjo periudhë e vitit shoqërohet me shtim të ndjeshëm të parazitëve te kafshët shoqëruese, duke përfshirë si parazitët e jashtëm ashtu edhe ata të brendshëm. Specialistët theksojnë se këta parazitë jo vetëm dëmtojnë shëndetin e kafshëve, por mund të kenë pasoja edhe për shëndetin e njeriut, sidomos në rastet e kontaktit të drejtpërdrejtë.
“Kjo periudhë tani përkon edhe me zhvillimin ose me kulmin e zhvillimit të parazitëve në kafshët e shoqërimit, të cilët jo vetëm janë një dëmtim për shëndetin e kafshës, por njëkohësisht mund të lidhen edhe me pasoja shëndetësore dhe për ata të cilët i kanë këto kafshë. Për shkak të kushteve fillojnë dhe zhvillohen më së tepërmi parazitë e lëkurës duke përfshirë pleshtat, rriqnat, shkaktarët e zgjebes e të tjerë ose qoftë dhe dermatofitozat të cilat një pjesë e tyre janë dhe zonoza”, tha veterineri Kristi Morava.
Specialistët apelojnë për trajtime të rregullta dhe masa parandaluese, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe uljen e rrezikut të transmetimit të parazitëve tek njerëzit.
“Ngjitjet aksidentale të rriqnave dhe pickimi i tyre është i dhimbshëm dhe shkaktojnë inflamacion lokal të konsiderueshëm që do të duhet të marrë mjekim. Plus që janë edhe transmetues pastaj të sëmundjeve të tjera më të rënda”, tha ai.
Rëndësi e veçantë u duhet kushtuar edhe parazitëve të brendshëm, pasi vezët e tyre mund të transmetohen te njeriu dhe të shkaktojnë probleme gastrointestinale. Trajtimi i rregullt i kafshëve ndihmon në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe në parandalimin e transmetimit të zoonozave te njerëzit.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





