Temperaturat e larta dhe shëndeti mendor, rritet numri i vizitave në shërbimin ambulator në Shkodër
Temperaturat e larta të kësaj vere po reflektohen edhe në rritjen e numrit të qytetarëve që kërkojnë ndihmë pranë shërbimit neuro-psikiatrik në Ambulancën Specialiteteve të Shkodrës. Sipas mjekut psikiatër Gjon Preçi, vetëm gjatë këtyre ditëve të korrikut regjistrohen mbi 30 vizita në ditë me shqetësime, si ankth, nervozizëm, pagjumësi apo lodhje të theksuar, simptoma këto që lidhen edhe me ekspozimin ndaj temperaturave të larta
“Problemet që kanë komuniteti i pacientëve të problemeve të shëndetit mendor është më e veçantë. Pse? Ul reagimin, ul aftësinë për t’u ruajtur, ul aftësinë për t’ju shmangur temperaturave të larta dhe ekspozimi krijon probleme të natyrës fizike deri te aksidentet e cerebrovaskulare apo kardiovaskulare. Mund të bëjë infarkt, mund të bëj insultë etj,.”, deklaroi mjeku.
Mjeku thekson se kujdesi i familjarëve është thelbësor, për personat që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor. Mbështetja, respektimi i terapisë, hidratimi i vazhdueshëm dhe shmangia e ekspozimit në vapë janë masa që ndihmojnë në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes së tyre.
“Ne hasim përditë raste ku ka në urgjencë paraqiten të sëmurë që kanë një ndikim direkt nga temperaturat e larta për arsye të paaftësisë për t’u ruajtur. Rëndësia është e kujdestarit, e familjarëve që këta persona të mos i lëjnë të ekspozohen. Sidomos në temperaturat e pikut, nga ora 10:00-11:00 paradite deri në 17:00-18:00 pasdite duhet evituar kontakti me diellin me temperaturat e larta”, shtoi mjeku.
Përveç rritjes së vizitave ambulatore, gjatë kësaj periudhe është shtuar edhe numri i shtrimeve në spital. Sipas mjekëve, më të prekur janë kryesisht moshat mbi 60 vjeç, të cilët vuajnë edhe nga sëmundje bashkëshoqëruese si hipertensioni arterial, diabeti apo pagjumësia kronike, duke i bërë më të ndjeshëm ndaj efekteve të temperaturave ekstreme.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





