Vapa sjell rrezik për helmime dhe probleme shëndetësore, mjeku: Kujdes me ushqimet dhe temperaturat e larta
Edhe pse temperaturat e larta të kësaj periudhe pritet të sjellin rritje të rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal të Kukësit situata paraqitet e qetë.
Mjeku Besnik Lleshi bën të ditur se nuk ka fluks të shtuar pacientësh dhe se situata vijon të jetë e menaxhueshme. Sipas mjekut, rastet më të shpeshta gjatë kësaj periudhe janë helmimet, ndaj ai u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes. Ai këshillon shmangien e daljeve gjatë orëve kur temperaturat janë më të larta, si edhe kujdes të veçantë në konsumimin dhe ruajtjen e ushqimeve.
“Gastroenterite, hipertensione te moshat e treta dhe gastroenterite të të gjitha moshave, duke përfshirë edhe moshën pediatrike janë rastet më të shpeshta. Këshilla është eliminimi i ushqimeve të kontaminuara dhe shmangia e ekspozimit ndaj temperaturave të larta gjatë pikut të vapës”, apelon mjeku.
Mjeku Lleshi thekson se grupet më të rrezikuara janë fëmijët dhe të moshuarit. Aktualisht, në Spitalin Rajonal të Kukësit regjistrohen mesatarisht rreth 80 vizita në ditë nga pacientë që kërkojnë shërbim mjekësor.
Ndërkohë, deri më tani nuk janë regjistruar raste emergjente të lidhura me aksidente, pavarësisht se gjatë sezonit veror rritja e lëvizjeve zakonisht shoqërohet me një numër më të lartë incidentesh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





