Integrimi në BE/ Komisioni i Jashtëm shqyrton me dyer të mbyllura ndryshimet në pozicionin negociues të Shqipërisë

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryetarit Igli Hasani, ku fokusi kryesor i punimeve ishte shqyrtimi i draft-ndryshimeve dhe shtesave në pozicionin negociues të Republikës së Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.
Në mbledhje mori pjesë Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me BE-në, Majlinda Dhuka, së bashku me stafin teknik shoqërues, ndërsa relatore e çështjeve në fjalë ishte deputetja Bora Muzhaqi.
Katër grupkapitujt në fokus
Diskutimet u përqendruan në përditësimin e dokumenteve strategjike për disa nga shtyllat më të rëndësishme të procesit të anëtarësimit. Ndryshimet në pozicionin negociues mbulojnë fusha të lidhura drejtpërdrejt me reformat ekonomike, mjedisore dhe politiken e jashtme. Përditësimet e shqyrtuara përfshijnë:
- Grupkapitullin II: “Tregu i brendshëm”
- Grupkapitullin III: “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”
- Grupkapitullin IV: “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”
- Grupkapitullin VI: “Marrëdhëniet me Jashtë”
Seancë me dyer të mbyllura për shkak të konfidencialitetit
Ndryshe nga mbledhjet e zakonshme parlamentare, diskutimi i këtyre çështjeve u zhvillua larg syrit të medias dhe publikut. Ndërhyrja u realizua me dyer të mbyllura për shkak të natyrës specifike të materialit të trajtuar.
“Për shkak të natyrës së informacionit të trajtuar, i cili lidhet me dokumente negociuese dhe përmban të dhëna konfidenciale të procesit të anëtarësimit, diskutimi u zhvillua me dyer të mbyllura.”, theksohet në njoftimin zyrtar të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme
Procedura u mbështet plotësisht në rregullat dhe protokollet në fuqi për trajtimin e informacionit të klasifikuar ushtarak e shtetëror, si dhe dokumenteve konfidenciale që lidhen me tratativat diplomatike të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




