Diabeti rrezikon shikimin, specialistët: Mos i neglizhoni kontrollet e syve

Shëndet | 2 muaj më parë

Diabeti është një nga sëmundjet kronike që mund të ndikojë ndjeshëm edhe në shëndetin e syve, duke rritur rrezikun për komplikacione që, nëse nuk diagnostikohen dhe trajtohen në kohë, mund të çojnë deri në humbje të shikimit.

Mjekët okulistë theksojnë se pacientët me diabet duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë kontrolleve periodike, edhe kur nuk kanë shqetësime të dukshme.

“Diabeti ndikon në organet që dëmton më shumë; nga pjesa e syrit, preket retina dhe këto janë dëmtime që japin impakt shumë të madh në shikim. Pacienti e ka shumë të rëndësishme që, nëse ka kaluar dekadën e parë me diabet, kontrollet periodike te mjeku okulist të jenë më të shpeshta. Patjetër, një herë në gjashtë muaj ose një herë në tre muaj, në varësi të shkallës së dëmtimit të retinës”, shprehet Besa Voka, oftalmokirurge.

Specialistët bëjnë të ditur se në fazat e para dëmtimet e syrit mund të mos japin asnjë shenjë, ndaj kontrollet e rregullta janë mënyra më e mirë për t’i zbuluar në kohë.

“Dëmtimet e diabetit në sy nuk shkaktojnë dhimbje. Pra, nuk japin shenja që ta çojnë të sëmurin te mjeku okulist për shkak të simptomave. Simptoma e parë me të cilën mund të paraqitet një i sëmurë me diabet është rënia e shikimit, por pa dhimbje. Ndërkohë, dëmtimet mund të jenë shumë të mëdha, të cilat mund të ishin parandaluar me ndërhyrje më minimale në sy, si injeksione ose trajtim me lazer, pa pasur nevojë të kryhen më pas ndërhyrje vitreoretinale, të cilat janë operacione të mëdha të syrit, me vështirësi më të lartë dhe me prognozë jo shumë të mirë”, nënvizon mjekja.

Mjekët u bëjnë thirrje të gjithë pacientëve me diabet të mbajnë nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak dhe të kryejnë kontrolle të rregullta okulistike.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme