Vdekjet e papritura nga vapa/Brataj: Kujdes ata që punojnë jashtë dhe ata me aktivitet fizik

Shëndet | 2 muaj më parë

Vdekjet e parapritura gjatë temperaturave shumë të larta janë tashmë një fenomen i dokumentuar pavarësisht se nuk shënohet si shkak i drejtpërdrejtë në certifikatën e vdekjes. OBSH i quan “vdekje të tepërta“ (excess mortality) pasi i nxehti vepron si faktor përkeqësues i sëmundjeve ekzistuese, ku viktima janë edhe mosha të reja  aktive për punë.

“Në këtë periudhë pothuajse në gjithë Evropën ishin mbi 1300 vdekje të papritura. Sigurisht që janë disa faktorë, kryesisht personat kardiopatikë ose ato që nuk kanë shfaqur ndonjëherë, kanë pësuar një arrest kardiak, por nuk është e thënë që s’kanë qenë të sëmurë”, u shpreh Brataj.

Brataj shpjegon si ndikon vapa në infarkte, tromboemboli të mushkërive apo ishemi të trurit, të cilat janë vdekjeprurëse.

“Arterioskleroza në enët e gjakut nis ngadalë dhe në vazhdimësi. Ne humbim lëngje dhe gjaku, në mungesë të tyre, trashet duke krijuar trombe. Po varet ku i bën ato trombe, në enët koronare që çojnë në infarkt, në mushkëri apo në enët që çojnë gjak në tru, duke shkaktuar ishemi.”

Konsumimi deri në 2 litra ujë në ditë është jetike me këto temperature por Brataj ve në dukje dhe humbjen e elektroliteve. Më të shkujdesurit janë fëmijët dhe të moshuarit.

 “Natriumi dhe kaliumi duhet të jenë në balancë, humbja e elektroliteve i çekuilibron ato.”

Rreth 200 thirrje në ditë dhe më shumë se 100 vizita në banesë po regjistrohen këto ditë të nxehta në urgjencën kombëtare.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme