“Sot, manipulimi udhëton me shpejtësinë e algoritmit”, Rama: Siguria nuk matet vetëm me mjetet ushtarake, por edhe me mbrojtjen e hapësirës digjitale

Politikë | 3 muaj më parë

Në fjalën e tij, në konferencën “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, Kryeministri Edi Rama deklaroi se siguria në ditët e sotme sipas tij nuk matet më vetëm me fuqinë ushtarake, por edhe me aftësinë për të mbrojtur demokracinë, hapësirën digjitale dhe besimin e qytetarëve.

Rama tha se Shqipëria dhe Europa po përballen me një realitet të ri, ku manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë dhe institucionet ndërsa theksoi se fuqia e një shteti sipas tij nuk matet vetëm me madhësinë e ushtrisë, por edhe me aftësinë për të përballuar këto manipulimime.

“Jemi këtu për shkak të një ndërthurjeje mjaft shqetësuese të momentit ku jetojmë, gjeografisë ku bëjmë pjesë dhe trysnisë gërryese që ushtrohet çdo ditë mbi institucionet tona. Gjeografia e sigurisë kombëtare ka ndryshuar në mënyrë thelbësore. Sot duhet të mbrojmë diçka jo të dukshme, por jetike: demokracinë dhe besimin e publikut. Fuqia nuk matet vetëm me madhësinë e një ushtrie. Fuqia matet edhe me aftësinë për të tjetërsuar perceptimin, për t’i kthyer ndasitë sociale në armë. Më shumë se 3 mijë vite më parë, jo larg nga këtu, Homeri na ka treguar historinë e Trojës. Troja nuk ra prej ushtrisë së dobët a mureve të brishta, ra sepse kërcënimi hyri i maskuar si diçka e pafajshme. Kali i Trojës ka treguar se rreziku më i madh rrallë është ai që mësyn në derë. Kemi ardhur në një moment ku e kemi humbur tërësisht, duke pranuar lirinë e shpërndarjes si një zgjatim të lirisë së fjalës. Manipulimi dhe ndërhyrja e jashtme mbërrijnë si përmbajtje e përditshme, si trend viral apo si një link që shpërndahet në një grup WhatsApp. Ai flet gjuhën tonë dhe shënjestron debatet tona të hapura,” tha ai.

Për Ramën manipulimi sot përhapet me shpejtësinë e algoritmeve dhe fuqizohet nga inteligjenca artificiale, ndaj dhe mbrojtja e hapësirës digjitale tha ai është kthyer në një prioritet të sigurisë kombëtare.

Po ashtu, Rama nënvizoi se “Shqipëria ka ndërtuar një mbrojtje të fortë kibernetike dhe sot sfida është mbrojtja e hapësirës digjitale, e qytetarëve dhe e të dhënave të tyre”.

Gjatës fjalës së tij, Rama tha se i ashtuquajturi revolucioni i flamingove, është një shembul i dezinformimit ndërsa shtoi se qeveria shqiptare do të ecë me vendosmëri drejt fazës finale të anëtarësimit në BE.

“Duhet të jeni informuar për të ashtuquajturën revolucion i flamingove. Është një shembull i jashtëzakonshëm i një çarje që edhe krijuar, që u bë një mënyrë për të hyrë armiqtë tanë. Ecim me vendosmëri drejt fazës së anëtarësimit në BE, është me rëndësi të forcojmë rezistencën ndaj sulmeve hibride. Sa më afër shkon një vend drejt BE, aq më shumë rreken aktorët e huaj, për të hyrë tinëzisht brenda dhe për të sulmuar. Ne jemi pararojë, kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata. Duhet të mësojmë shpejt dhe të përshtatemi shpejt”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme