Studim seroepidemiologjik për hepatitin B, nisma do të analizojë përhapjen e virusit te punonjësit e shëndetësisë
160 mjekë dhe infermierë do të përfshihen në projektin “Vlerësim seroepidemiologjik i hepatitit B në personelin e kujdesit shëndetësor dhe spitalor në Gjirokastër”.
Projekti do të zhvillohet nga departamenti i infermierisë në universitetin “Eqrem Cabej”në një periudhë mbi 2- vjecare ku përveç mostrave të gjakut çdo i testuar do ti nënshtrohet edhe një pyetësori për faktorët e riskut.
“Duke qenë se hepatiti B është një sëmundje që transmetohet nëpërmjet gjakut, duke qenë personel shëndetësor, biem në kontakt me age të kontaminuara, me mjete kirurgjikale të kontaminuara. Pra, profili i punës është i tillë që stafi shëndetësor është më i rrezikuar për t’u infektuar. Prandaj, në këtë pjesë të popullatës ka shumë rëndësi të jemi të bindur që kemi imunitet ndaj hepatitit B, që të mos infektohemi në vendin e punës, por, nga ana tjetër, edhe të mos jemi ne burim infeksioni për pacientët të cilëve u shërbejmë”, tha Zhenisa Çuni, Drejtuese e projektit.
Përmes këtij projekti synohet përditësimi i panoramës epidemiologjike të hepatitit B në popullatë duke i ofruar teknologjinë laboratorike më të mirë të kohës.
“Do të punojmë me sistemin shëndetësor, konkretisht me mjekë dhe infermierë nga kujdesi shëndetësor parësor dhe ai spitalor, pra me qendrat shëndetësore dhe me Spitalin Rajonal ‘Omer Nishani’“, tha ajo.
Qëllimi, objektivat, aktivitetet dhe afatet kohore të projektit u prezantuan gjatë një takimi ku morën pjesë përfaqësues tëv spitalit të Gjirokastrës dhe të Operatorit të Kujdesit Shëndetësor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





