Krijohet Instituti Kombëtar Onkologjik, shërbimi i Onkologjisë shkëputet nga QSUT deri më 31 Dhjetor 2026

Shëndet | 2 muaj më parë

Qeveriaka miratuar krijimin e Institutit Kombëtar Onkologjik, një strukturë e re shëndetësore universitare dhe kërkimore-shkencore me personalitet të pavarur juridik, e cila do të funksionojë në varësi të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Kjo reformë e rëndësishme synon transformimin rrënjësor të kujdesit ndaj sëmundjeve tumorale në Shqipëri, duke integruar në një institucion të vetëm shërbimin spitalor terciar, mësimdhënien universitare me Universitetin e Mjekësisë dhe kërkimin shkencor të avancuar.

Shkëputja nga QSUT dhe periudha tranzitore

Sipas vendimit zyrtar, Onkologjia nuk do të jetë më thjesht një shërbim brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT). Të gjitha asetet, infrastruktura fizike, pajisjet mjekësore, burimet njerëzore dhe detyrimet e Shërbimit të Onkologjisë pranë QSUNT-së do t’i transferohen plotësisht Institutit të ri brenda një periudhe tranzitore që përfundon më 31 dhjetor 2026.

Përjashtim bëjnë pajisjet e akseleratorit linear, të cilat do të mbeten në pronësi të QSUNT-së, por do të përdoren edhe për pacientët e Institutit përmes një marrëveshjeje të posaçme ndërinstitucionale.

“Të gjitha asetet, infrastruktura fizike, pajisjet mjekësore dhe burimet njerëzore të Shërbimit të Onkologjisë pranë QSUNT-së i transferohen Institutit të ri brenda periudhës kalimtare që përfundon më 31 dhjetor 2026.”, nënvizohet në vendim.

Roli drejtues dhe Rrjeti Kombëtar i Kancerit

Instituti i ri do të shërbejë si qendra kombëtare koordinuese e Rrjetit Kombëtar të Sëmundjeve Tumorale, duke lidhur shërbimin universitar me njësitë onkologjike në spitalet rajonale e vendore.

Gjithashtu, vendimi e bën të detyrueshëm zbatimin e protokolleve klinike dhe raportimin e të dhënave edhe për spitalet private që ofrojnë shërbime onkologjike, të cilat do të raportojnë detyrimisht pranë Regjistrit Kombëtar të Kancerit.

Burimet e financimit dhe personeli

Financimi i Institutit Kombëtar Onkologjik do të bëhet përmes një skeme të kombinuar: nga Buxheti i Shtetit (për pjesën administrative), Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDSH pjër shërbimin spitalor), si dhe nga fondet e kërkimit shkencor, projektet ndërkombëtare, donacionet dhe grantet.

Marrëdhëniet e punës për stafin mjekësor, akademik, kërkimor dhe administrativ do të rregullohen sipas Kodit të Punës, ndërsa personeli ekzistues i Onkologjisë që integrohet në strukturën e re do të vijojë punën pa ndërprerje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme