Për herë të parë Plan Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, Sala: Angazhim konkret për të zgjeruar testimin dhe diagnostikimin

Shëndet | 2 muaj më parë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka reaguar me një mesazh pas lançimit të Planitë eparë Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një hap historik për sistemin shëndetësor.

Me këtë vendim, Shqipëria i bashkohet objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe vendeve evropiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030.

“Për herë të parë, vendi ynë miraton Planin Kombëtar për Eliminimin e Hepatiteve Virale, duke iu bashkuar objektivit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe angazhimit të vendeve evropiane për eliminimin e hepatiteve B dhe C si kërcënim për shëndetin publik deri në vitin 2030. Një sistem shëndetësor modern nuk pret që sëmundja të përparojë. Ai investon në parandalim, forcon survejancën, diagnostikon herët dhe krijon mundësinë që pacienti të trajtohet në kohë. Shqipëria nis rrugëtimin drejt eliminimit të hepatiteve virale. Ky Plan nuk është thjesht një dokument strategjik. Ai është një angazhim konkret për të zgjeruar testimin dhe diagnostikimin, për të përmirësuar gradualisht aksesin në trajtim dhe për të afruar kujdesin pranë qytetarëve”, shkruan Ministrja.

Plani i ri synon zgjerimin e testimit dhe diagnostikimit, përmirësimin e aksesit në trajtim dhe afrim të kujdesit pranë qytetarëve. Ministrja theksoi se qendrat e specializuara do të mbeten kyçe, ndërsa do të punohet hap pas hapi për forcimin e shërbimeve rajonale, kujdesit parësor dhe kapaciteteve diagnostikuese. Një nga objektivat kryesorë është zgjerimi progresiv i kritereve të trajtimit, në mënyrë që kujdesi të mos kufizohet vetëm te format e avancuara të sëmundjes.

“Qendrat e specializuara do të mbeten kyçe, ndërsa do të punojmë, hap pas hapi, për forcimin e shërbimeve rajonale, kujdesit parësor dhe kapaciteteve diagnostikuese. Një nga objektivat kryesorë është zgjerimi progresiv i kritereve të trajtimit, në mënyrë që kujdesi të mos kufizohet vetëm te format e avancuara të sëmundjes”, thekson ajo.

Ministrja shton se ky plan është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë mes institucioneve shqiptare, ekspertëve kombëtarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke u bazuar në prova shkencore dhe standardet e OBSH-së.

“Ky Plan është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë ndërmjet institucioneve shqiptare, ekspertëve kombëtarë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai përfaqëson një model modern të politikave shëndetësore, të bazuara në prova shkencore, në standardet e OBSH-së dhe në drejtimin strategjik të Evropës për shërbime më të aksesueshme, më të barabarta dhe më pranë qytetarit. Ky është një proces që fillon sot, por kërkon angazhim afatgjatë, investime, forcim të kapaciteteve dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Hepatitet virale janë ndër shkaqet kryesore të cirrozës dhe kancerit të mëlçisë. Prandaj, lufta kundër infeksionit është njëkohësisht edhe pjesë thelbësore e luftës kundër kancerit, një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Objektivi ynë është i qartë: më pak infeksione të reja, më shumë diagnoza dhe trajtime në kohë, më pak cirrozë, më pak kancer të mëlçisë dhe më shumë jetë të mbrojtura. Me këtë Plan, Shqipëria nis një rrugëtim të ri drejt eliminimit të hepatiteve virale dhe drejt një sistemi shëndetësor më modern, më evropian, më të barabartë dhe më pranë çdo qytetari”, përfundon mesazhin e saj Ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme