Blushi kundër reformës territoriale: Ndryshimi i hartës administrative kërkon dialog, jo imponim. Shkrirja e 15 bashkive prodhon konflikt

Politikë | 2 muaj më parë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ndaj propozimit të Partisë Socialiste për reformën e re administrativo-territoriale, duke e kundërshtuar atë dhe duke e cilësuar si një nismë që, sipas tij, bie ndesh me parimet e decentralizimit dhe autonomisë vendore të garantuara nga Kushtetuta. Blushi deklaroi se plani për shkrirjen e 15 bashkive nuk përfaqëson një përpjekje për përmirësimin e shërbimeve publike apo rritjen e eficiencës së administratës lokale, por një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor nën kontrollin e qeverisë qendrore.

Sipas tij, një ndryshim i tillë do të ndikonte negativisht në funksionimin e komuniteteve lokale, duke e larguar administratën nga qytetarët dhe duke i kthyer, siç u shpreh ai, bashkitë në struktura të varura nga ekzekutivi.

“Ky draft nuk synon përmirësimin e pushtetit vendor, por ridizenjimin e hartës administrative për interesa politike dhe elektorale të mazhorancës. Ndryshimi i hartës territoriale kërkon dialog kombëtar, konsultim real dhe respektim të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore e të Kushtetutës. Një reformë e imponuar nuk ndërton konsensus, por prodhon konflikt”, deklaroi Blushi.

Ai kërkoi tërheqjen e menjëhershme të propozimit, të cilin e cilësoi si një reformë “shpopulluese dhe shkombëtarizuese”, duke argumentuar se ajo nuk sjell zgjidhje për problemet e qeverisjes vendore. Blushi i bëri thirrje institucioneve shtetërore dhe organizmave vendas e ndërkombëtarë që, sipas tij, kanë përgjegjësi për mbrojtjen e demokracisë lokale, të reagojnë ndaj kësaj nisme.

Sipas Blushit, reforma e propozuar është e pakonsultuar, antikushtetuese dhe antidemokratike, ndërsa çdo ndryshim i hartës administrative duhet të kalojë përmes një procesi të gjerë konsultimi dhe dakordësie.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme