Kukësi gati për zgjerimin e Check-Up-it, Morina: Qendrat shëndetësore kanë kapacitetet e nevojshme
24 qendrat shëndetësore të qarkut të Kukësit po funksionojnë normalisht gjatë kësaj periudhe, ku për shkak të temperaturave të larta dhe virozave sezonale është shtuar edhe numri i qytetarëve që kërkojnë shërbim mjekësor.
“Po, në përgjithësi të gjitha qendrat shëndetësore të qarkut të Kukësit janë funksionale dhe janë të pajisura me personel mjekësor, infermierë dhe mjekë familjeje. Nuk kemi pasur problematika të tilla, sepse, thashë, porosia gjatë periudhës së verës, si rezultat i fluksit të turistëve të huaj që kanë ardhur në zonat tona dhe sidomos në zonën e Valbonës, kanë qenë të përkushtuar që të rrinë në punë non stop dhe nuk kemi pasur asnjë problem. Fatmirësisht, të gjitha qendrat shëndetësore kanë pasur fonde të mjaftueshme për blerjen e ilaçeve të ndërhyrjes së shpejtë dhe nuk kanë asnjë lloj mangësie në shërbimin ndaj pacientëve”, tha Drejtori rajonal i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Liman Morina.
Morina ndalet edhe te ndryshimet që pritet të zbatohen në programin e kontrollit mjekësor bazë.
“Shërbimi i check-up-it ka qenë në parametra shumë të mirë, shumë të kënaqshëm. Në përgjithësi qytetarët janë ndërgjegjësuar dhe po bëjnë check-up-in. Është një lajm i mirë, domethënë që në muajin shtator check-up-et do kalojnë në shtet dhe është hequr edhe mosha për pacientët. Besoj që duhet të përballohet në mënyrë të kënaqshme nga ana e personelit të qendrave shëndetësore dhe njerëzit do kenë një shërbim efikas për të bërë kontrollin mjekësor në qendrat shëndetësore”, tha ai.
Ministria e Shëndetësisë, pak ditë më parë, njoftoi heqjen e kufirit maksimal të moshës me qëllim zgjerimin e përfituesve të këtij shërbimi falas.
Gazetare: Matilda Dokle
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





