Radioterapia/ Rama dhe Sala prezantojnë investimet e reja në Onkologjik, 10-vjeçari me limfomë përfundon me sukses radioterapinë e konsolidimit
Në Njësinë e Radioterapisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), pacienti 10-vjeçar Arsi, i diagnostikuar me limfomë Hodgkin në stadin IV, ka përfunduar me sukses fazën e radioterapisë së konsolidimit. Lajmi u bë i ditur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale nga Kryeministri Edi Rama, si dhe pas një vizite inspektuese të zhvilluar në spital nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala.
Trajtimi mjekësor i 10-vjeçarit u realizua përmes akseleratorit të tretë linear, pajisje e re që është në funksion që prej muajit maj 2026 dhe që mundëson radioterapi me precizion të lartë e standarde bashkëkohore të kujdesit për pacientët. Lidhur me këtë arritje mjekësore, Kryeministri Edi Rama u shpreh në rrjetet sociale:
“Në Njësinë e Radioterapisë, 10-vjeçari Arsi, i diagnostikuar me limfomë Hodgkin në stadin IV, përfundoi me sukses fazën e radioterapisë së konsolidimit. Trajtimi u realizua me akseleratorin e ri linear, në funksion që prej majit 2026, i cili mundëson radioterapi me precizion të lartë dhe standarde bashkëkohore të kujdesit për pacientët, ndërkohë që së shpejti do të sjellim akseleratorin 4 linear. Respekt për ekipin multidisiplinar të profesionistëve në QSUT “Nënë Tereza””
Ministrja Sala viziton Radioterapinë: Kujdes i integruar dhe investime të reja
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Sala, zhvilloi sot një vizitë në Njësinë e Radioterapisë për t’u njohur nga afër me historinë e Arsit. Gjatë vizitës, ministrja vlerësoi punën e ekipeve multidisiplinare të përfshira në trajtimin e pacientëve onkologjikë dhe bashkëpunimin mes profesionistëve të shëndetësisë për ofrimin e një kujdesi të integruar.
Në fjalën e saj, ministrja Sala deklaroi:
“Ky është rezultati i punës së një skuadre të tërë profesionistësh, që kanë bashkëpunuar në mënyrë të koordinuar për të garantuar trajtimin më të mirë për pacientin. Në këtë rast kemi një kombinim të trajtimit me kimioterapi dhe radioterapi, kjo e fundit realizuar me një aparaturë moderne, Akseleratorin e 3-të linear, një investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Aktualisht janë 3 akseleratorë funksionalë, së shpejti do të kemi dhe akseleratorin e katërt, dhe brakiterapinë, të cilat janë në proces”
Zgjerimi i kapaciteteve onkologjike dhe reforma në spitalet rajonale
Sipas ministres Sala, rasti i 10-vjeçarit është një dëshmi konkrete e funksionimit të Institutit Kombëtar të Tumoreve përmes koordinimit të strukturave dhe ekipeve të specializuara — nga onkohematologjia pediatrike dhe imazheria, te radioterapia dhe shërbimet e tjera mbështetëse.
Përveç investimeve në pajisje si akseleratori i katërt linear dhe brakiterapia që pritet të shtohen së shpejti, ministrja nënvizoi edhe zgjerimin e aksesit përmes funksionimit të pikave të kimioterapisë në spitalet rajonale. Kjo reformë po afron shërbimin pranë pacientëve dhe po lehtëson aksesin në trajtim, duke shmangur nevojën që ata të udhëtojnë drejt Tiranës.
Historia e Arsit mbetet një dëshmi se investimet në teknologji, zbatimi i protokolleve ndërkombëtare dhe përkushtimi i ekipeve mjekësore sjellin rezultate konkrete, duke u dhënë më shumë shpresë pacientëve dhe familjeve të tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












