Fluks në Urgjencën e Shkodrës, mjekët: Për rastet jo emergjente, pacientët të paraqiten fillimisht te mjeku i familjes

Shëndet | 2 muaj më parë

Muaji korrik, por edhe në këto ditë të para të gushtit kanë shënuar fluks të shtuar pacientësh në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës . Përveç banorëve vendas në urgjencë marrin shërbim edhe turistë vendas e të huaj që gjatë qëndrimit në Shkodër përballen me probleme të ndryshme shëndetësore. Sipas shefit të repartit të urgjencës, shqetësimet më të shpeshta lidhen me problematika tipike të stinës së verës.

“Ka ngarkesë që shkon mesatarisht 130-135 vizita të paktën ditët e fundit. Tashi dalin pak probleme të tjera që lidhen me temperaturat e larta që po kalojmë. Kryesisht ka një rritje të pacientëve me probleme neurologjike ose kardiake. Po kështu shihet se lëvizja për turizmin, është në rritje numri i aksidenteve, piskimeve nga gjarpri ose nga insekte të cilët pa dashje bëhen dhe probleme për ne”, deklaroi Ardian Dajti, Shefi i Urgjencës në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Ngarkesa në repartin e urgjencës nuk lidhet vetëm me rastet emergjente. Një pjesë e qytetarëve zgjedhin t’i drejtohen spitalit edhe për problem shëndetësore që mund të trajtohen nga mjeku i familjes apo në poliklinikën e specialiteteve.

“Kisha dashur t’ju drejtohesha edhe me një apel sensibilizues. Ata që kanë vizita të planifikuara dhe të sëmurë kronik nuk duhet të paraqiten te urgjenca. Duhet të ndjekin sistemin e referimit dhe të shkojnë atje. Kjo bën që edhe kontaktojnë me specialistin më kollaj, por ndërkohë dhe ne na lejojnë të merremi me ata të sëmurë që me të vërtetë realisht kanë probleme emergjente”, shtoi mjeku.

Fluks i lartë pacientësh gjatë kësaj periudhe vrehet edhe në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër ku numri i vizitave në të gjitha specialitetet arrin deri në rreth 500 në ditë.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme