Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike, Rama: Nga shënjestër e sulmit, në avangardën botërore

Aktualitet | 2 muaj më parë

Shqipëria renditet e para në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me 98.33 pikë, duke u ngjitur në krye të klasifikimit global për zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike. Lajmi është bërë publik nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar këtë rezultat si një arritje historike dhe rezultat të punës së bërë gjatë viteve për forcimin e kapaciteteve teknologjike dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale të vendit.

“Ky nuk është një kërcim magjik në renditje dhe as një dhuratë e rënë nga qielli, po rezultati i një pune të madhe për të ngritur kapacitete teknologjike të nivelit botëror, aftësi institucionale e profesionale të klasit të parë”, shkruan Rama në rrjetin social X.

Sipas kryeministrit, një rol të rëndësishëm në këtë transformim ka luajtur edhe zhvillimi i një sistemi proaktiv të mbrojtjes kibernetike, i cili përdor Inteligjencën Artificiale për të identifikuar dhe parandaluar kërcënimet përpara se ato të shndërrohen në sulme. Rama e lidh këtë arritje me sulmin e rëndë kibernetik të 15 korrikut 2022, për të cilin autoritetet shqiptare kanë fajësuar regjimin iranian. Sipas tij, sulmi shërbeu si pikënisje për një transformim të thellë të sistemit të sigurisë kibernetike të Shqipërisë.

“Më 15 korrik 2022 u goditëm. Në vitin 2023 kaluam në vendin e 54, në vitin 2025 u ngjitëm në vendin e 15. Sot jemi në majën e klasifikimit botëror”, shkruan kryeministri.

Ai thekson se pas sulmit të vitit 2022 u ndërtua një arkitekturë e re e mbrojtjes kibernetike, u rritën kapacitetet profesionale dhe u forcua bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë partnerët izraelitë. Sipas Ramës, pavarësisht se sulmet kibernetike kanë vijuar, ato nuk kanë pasur më të njëjtin ndikim, pasi sistemet e mbrojtjes janë përmirësuar ndjeshëm. Kryeministri e konsideron renditjen në vendin e parë si dëshmi të fuqisë së aleancave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. “Sulmet e regjimit kriminal të Teheranit, dhe jo vetëm, nuk kanë rreshtur asnjë ditë. Por nuk keni dëgjuar më gjë për to, sepse kanë dështuar me sukses çdo ditë. Regjimi i Teheranit deshi të na tregonte sa të dobët ishim. Në fakt, na detyroi të bëhemi fuqia që jemi sot në mbrojtjen e Shqipërisë Digjitale”, deklaron Rama.

Rama paralajmëron se puna për sigurinë kibernetike duhet të vijojë, pasi zhvillimi teknologjik është një proces i vazhdueshëm dhe pozicioni i parë në një renditje mund të ndryshojë shpejt.

Postimi i plotë:

Lajm i pabesueshëm po 100% i vërtetë. Nga një sulm brutal, te vendi i parë në botë.

Bekimi i teknologjisë digjitale për vendet në zhvillim është i jashtëzakonshëm, sepse kur vjen puna tek teknologjia e re nuk ka më vende të mëdha a të vogla, të zhvilluara apo në zhvillim.

Madje përkundrazi, kush është më mbrapa mund të bëjë kërcime të mëdha përpara (leapfrogs), duke kapërcyer në pak vite etapa që të tjerëve u janë dashur dekada. Shembulli i Estonisë e ka treguar këtë në mënyrën më spektakolare, por edhe tabela bashkëngjitur e tregon më së miri sesi vende me emër të madh e vende me emër të vogël gjenden në pozicione krejt të pazakonshme për klasifikimet me të cilat jemi mësuar.

Pse ka rëndësi kjo hyrje sot?

Sepse sot kemi marrë një lajm spektakolar që lidhet pikërisht me teknologjinë dhe që askush nuk do ta imagjinonte dot deri jo shumë vite më parë

Më 15 korrik 2022, kur regjimi kriminal i Teheranit ndërmori sulmin e paprecedentë kundër infrastrukturës sonë digjitale, synimi ishte sa i qartë, aq edhe i egër:

Të gjunjëzonte një shtet të vogël demokratik, që kishte guxuar t’u jepte strehë atyre që ai regjim i përndjek dhe i vret, njësoj siç Shqipëria u dha strehë hebrenjve apo edhe italianëve gjatë Luftës së Dytë Botërore; vëllezërve e motrave të Kosovës gjatë spastrimit etnik të regjimit të Beogradit; apo mijëra afganëve pas rënies së Kabulit në duart e barbarëve pa din e iman të Afganistanit.

Ai sulm mund të na kishte kthyer mbrapa në epokën e sporteleve dhe radhëve të pafundme, duke na hedhur në lumë qindra miliona euro të investuara ndër vite në Shqipërinë Digjitale, sepse mbrojtja jonë kibernetike ishte ende e dobët. Por edhe falë partnerëve tanë, rezistuam dhe nuk na gjunjëzuan

Përkundrazi, ai sulm u bë pikënisja e një kthese epokale.

Vendosëm të ndërtonim një mur të atillë mbrojtës për shtetin digjital të Shqipërisë, që të ishte e pamundur të shembeshin me një sulm të ngjashëm infrastrukturat e tij publike dhe, po, siç edhe e kam thënë asokohe kur shumëkush u tall me fjalët e mia, të kalonim nga grupi i shteteve me mbrojtje të dobët, në grupin e shteteve me mbrojtje shembullore

Lajmi i sotëm kurorëzon një vizion ambicioz dhe një punë të jashtëzakonshme, me një sukses historik:

SHQIPËRIA KA DALË E PARA NË BOTË NË NATIONAL CYBER SECURITY INDEX (NCSI), ME 98.33 PIKË

Më 15 korrik 2022 u goditëm.

Në vitin 2023 kaluam në vendin e 54 falë nisjes së ndërtimit të një arkitekture të re të mbrojtjes dhe mbledhjes së kapaciteteve të larta profesionale në agjencinë e re të mbrojtjes kibernetike.

Në vitin 2025 u ngjitëm në vendin e 15, pas zhvillimit të plotë të arkitekturës së re inovative të mbrojtjes në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë izraelitë.

Sot jemi në majën e klasifikimit botëror për zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike.

Ndërkohë sulmet e regjimit kriminal të Teheranit, dhe jo vetëm, nuk kanë rreshtur asnjë ditë. Por nuk keni dëgjuar më gjë për to, sepse kanë dështuar me sukses çdo ditë

Ky nuk është një kërcim magjik në renditje dhe as një dhuratë e rënë nga qielli, po rezultati i një pune të madhe për të ngritur kapacitete teknologjike të nivelit botëror, aftësi institucionale e profesionale të klasit të parë dhe për të ndërtuar një sistem që nuk pret më goditjen për të reaguar, por punon çdo ditë për ta parandaluar atë, falë edhe modelit të parë të Inteligjencës Artificiale proaktive të futur në një arkitekturë mbrojtjeje kibernetike në Europë

Dhe po, ky kapërcim epokal është po ashtu dëshmi e fuqisë së aleancave të vërteta dhe të forta. Kur goditesh, e kupton edhe më mirë se kush qëndron krah teje dhe çfarë mund të ndërtohet së bashku.

Regjimi i Teheranit deshi të na tregonte sa të dobët ishim.

Në fakt, na detyroi të bëhemi fuqia që jemi sot në mbrojtjen e Shqipërisë Digjitale.

Nga shënjestër e një prej sulmeve kibernetike më të rënda ndaj një vendi të NATO, sot Shqipëria është në avangardën botërore të zhvillimit të kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike.

Si gjithnjë, përgjigjja më e mirë ndaj atij që kërkon të të gjunjëzojë është thjesht të ngrihesh më lart se ç’ke qenë ndonjëherë dhe ne treguam edhe njëherë se dimë ta bëjmë këtë sa herë dikujt i shkon mendja të na ulë poshtë

Puna vazhdon me këmbëngulje, sepse në botën e re të teknologjisë i pari sot mund të mbetet i fundit nesër, ndërkohë që muri ynë mbrojtës duhet të shtrihet kudo, edhe në sektorin privat


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme