Hipotiroidizmi, çrregullim i tiroides, mjekja: Me rëndësi diagnostikimi dhe trajtimi i duhur

Shëndet | 2 muaj më parë

Hipotiroidizmi është një çrregullim i funksionit të gjëndrës tiroide. Mjekja endokrinologe Jona Troshani shpjegon se shenjat e hipotiroidizmit mund të shfaqen gradualisht.

“Hipotiroidizmi është një çrregullim i cili karakterizohet nga nivele të ulëta të hormoneve të tiroides. Shenjat më të shpeshta janë një lodhje e tepruar dhe e vazhdueshme, një shtim i pashpjegueshëm në peshë, konstipacion, lëkurë apo flokë të thatë, një ndjeshmëri më e madhe ndaj të ftohtit apo edhe rënia e humorit”, tha mjekja.

Diagnoza vendoset përmes analizave hormonale.

“Janë pacientët të cilët kanë një histori familjare, sidomos femrat pas moshës 60 vjeç, persona të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera autoimune dhe ata që kanë kryer një kirurgji të tiroides apo rrezatim të saj”, tha ajo.

Trajtimi synon zëvendësimin e hormoneve që mungojnë dhe kërkon ndjekje të rregullt për përshtatjen e mjekimit.

“Trajtimi i hipotiroidizmit është përmes zëvendësimit të mungesës së hormonit, përmes një tablete që quhet levotiroksinë dhe merret në mëngjes esëll. Pacientët duhet të kenë kujdes që ta marrin mjekimin me stomakun bosh dhe të mos marrin suplemente të tjera me hekur apo me kalcium, të cilat mund të ndikojnë në përthithjen e mjekimit. Ata duhet të ndiqen në mënyrë të vazhdueshme me analizat laboratorike”, tha mjekja.

Kontrollet periodike dhe përdorimi korrekt i mjekimit janë të rëndësishme për mbajtjen nën kontroll të hipotiroidizmit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme