Demenca, në rritje te moshat e treta. Mjekët: Jo vetëm një çështje shëndetësore, por edhe një problem social
Demenca po shfaqet gjithnjë e më shumë tek moshat e treta. Në Shkodër, mjekët neuropsikiatër konstatojnë një rritje të rasteve. Të dhënat tregojnë se rreth 30 për qind e personave në moshat e avancuara shfaqin këtë sëmundje. Për mjekun neuropsikiatër Gjon Preçi, kontakti me familjarët e personave të prekur nga demenca është thuajse i përditshëm.
“Rritja e moshë mesatare rrit mundësinë për t’u shfaqu demenca. Në 80 vjeç sipër shkon deri në 30%. Në 85 vjeçe sipër shkon në 50%. Numri i rasteve pra një në dy veta tre veta ke një me demencë. Nuk kemi ditë që ne nuk kemi një telefonatë ashtu një kontakt me familjarët për një problem të tillë që kanë me prind e tyre apo me këtë grupmoshë”, tha mjeku Preçi.
Sipas mjekut Preçi, përtej aspektit mjekësor, demenca po kthehet gjithnjë e më shumë në një problem social pasi shumë prej të moshuarve me demencë jetojnë vetëm. Ndërkohë që simptomat e kësaj sëmundje e bëjnë të domosdoshëm kujdesin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga familjarët apo shërbimet sociale.
“Në shumë raste ne na vijnë pleq që jetojnë vetëm, fëmijët i kanë migracion. Përveç ilaçit kanë nevojë, kryesisht për kujdes”, u shpreh ai.
Sipas specialistëve, një prej sfidave kryesore është identifikimi në kohë i shenjave të para. Harresa e përsëritur, vështirësitë në orientim, ndryshimet në sjellje apo pamundësia për të kryer detyra të zakonshme nuk duhet t’i atribuohen thjesht moshës. Vëmendja ndaj këtyre simptomave dhe konsultimi me mjekun mund të ndihmojnë në vendosjen e diagnozës dhe në organizimin sa më herët të kujdesit për pacientin dhe familjen
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





