“Fëmijët dhe Libri”, studiuesi Bushati: Prindërit, shembulli i parë në krijimin e kulturës së leximit
Dashuria për librin nis që në fëmijëri, ndërsa familja luan një rol të rëndësishëm në krijimin e zakoneve të leximit. Shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati shprehet se shembulli që fëmijët shohin në familje mund të ndikojë në mënyrën se si ata e perceptojnë librin dhe leximin.
“Prindërit duhet të jenë faktori kryesor në kulturimin e fëmijëve. Duhet të jetë edhe një vizitë e herëpashershme në bibliotekë dhe një vizitë e herë pashme në librari. Pra, fëmija duhet të mësojnë edhe këto elemente ku gjendet libri”, tha shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati.
Përtej shembullit, edhe mënyra se si prindërit e prezantojnë leximin mund ta bëjë atë më tërheqës për fëmijët.
“Libri duhet zë në vendin kryesor përmes argëtimit. Gjithmonë e lidhim me moshën dhe e dyta të arrihet deri tek ajo pikë që fëmija ta kërkojë librin, të mos shkojë libri te fëmija dhe kjo është meritë dhe duhet ta bëjnë prindërit”, tha ai.
Për studiuesin libri mbetet një nga mjetet më të rëndësishme në formimin e fëmijës.
“Asgjë më të mençur në këtë botë nuk ka si libri.Libri janë si puna e çelësave që hapin dyer të mëdha të diturisë, hapin dritare të reja duke u rritur shikon gjëra që zanafillin e kanë tek libri dhe me fjalën e bukur të prindit e shpëton fëmijë nga shumëçka dhe është bukur të rritesh mes librave. Do të thotë të jesh i ditur”, u shpreh studiuesi Bushati.
Një libër i zgjedhur me dëshirë, një histori e lexuar së bashku apo shembulli i prindërve mund të ndikojnë në krijimin e një raporti të qëndrueshëm me leximin.
Gazetare: B. Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




