Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 4 vatra aktive, 1 nën monitorim
Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, duke raportuar 25 vatra zjarri, prej të cilave 4 vijojnë të jenë aktive dhe 1 është nën monitorim. Ministria sqaron se vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë në Tiranë, si dhe Lufaj në Mirditë e Tërbun në Pukë. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 350 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 140 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Sipas Minisrisë, në Dajt, operacioni vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 zjarrfikës dhe 5 forca të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, ndërsa aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Tërbun të Pukës vijon angazhimi i strukturave vendore, Forcave të Armatosura dhe vullnetarëve, me mbështetjen e dy helikopterëve. Edhe në këtë zone, sqaron Ministria, nuk raportohet rrezik për banesat.
Situata paraqitet në përmirësim edhe në disa prej zonave të prekura gjatë ditëve të fundit. Zjarret në Gurë-Lurë, Bruç në Mat, Tharrë në Mirditë dhe Selenicë janë shuar plotësisht. Në Qafë Helmes vijon monitorimi dhe ndërhyrja nga strukturat lokale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




