Shtohet stafi mjekësor në Tropojë, mjek pneumolog dhe kardiolog shërbimi pranë komunitetit
Tre nga specialitetet më të rëndësishme në Spitalin “Isa Zllami” të Tropojës janë kompletuar me staf mjekësor. Bëhet fjalë për tre mjekë, obstetër-gjinekolog, pneumolog dhe kardiolog, që i janë shtuar së fundmi stafit të këtij spitali dhe, sipas drejtorit Kujtim Rexha, është zgjidhur njëri prej problemeve shqetësuese për komunitetin e Tropojës, të cilët këto shërbime i merrnin në Kukës, Gjakovë apo edhe në Tiranë.
“Muajt e fundit spitalit tonë iu bashkuan edhe tre mjekë të rinj specializantë, një pneumolog, një kardiolog dhe një mjeke gjinekologe-obstetre”, deklaroi Drejtori i Spitalit Tropojë, Kujtim Rexha.
Sipas drejtorit të spitalit, ende ka nevojë për plotësimin e nevojave me mjekë të specialiteteve të tjera, duke besuar se edhe këto mungesa do të vihen në rrugën e zgjidhjes.
“Presim që të kompletohemi edhe me mjekë të tjerë. Kemi nevojë për kirurg, për anestezistë”, tha ai.
Vetë pozita gjeografike e Tropojës e kthen këtë spital në një institucion të rëndësishëm shëndetësor për të ofruar shërbimet e urgjencave edhe për një sërë fshatrash të Pukës.
“Fshatrat e Pukës, domethënë që vijojnë në Qafë të Malit dhe këtej, që kanë afërsi më të madhe me spitalin tonë, dhe ne gjithmonë u vijmë në ndihmë për raste urgjente me ambulancat tona”, deklaroi mjeku.
Krahas plotësimit me staf të kualifikuar mjekësor, në Spitalin e Tropojës janë realizuar edhe një sërë investimesh të ofruara nga biznesmenë vendas dhe shoqata të huaja. Kujtojmë se pak muaj më parë u bë e mundur një paketë ndihme me pajisje mjekësore, hoteliere dhe ato të kuzhinës, që u ofruan nga shoqata “Iliria” dhe Fondacioni “Mus Tahir Kalbaj”. Ndërsa në projektbuxhetin e këtij viti është miratuar një fond prej 2.2 milionë eurosh për rikonstruksionin e plotë të këtij spitali.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





