Rënia e gjigantit industrial, shemben me shpërthim të kontrolluar kullat e Ish-Kombinatit të Azotikut në Fier
Sot në mesditë ka vijuar procesi i rënies së strukturave të mbetura të ish-Kombinatit të Azotikut në Fier. Një tjetër kullë gjigante dhe oxhaqet historike janë shembur përmes një shpërthimi të kontrolluar me tritol, duke ndryshuar përgjithmonë panoramën urbane dhe industriale të kësaj zone.
Pastrimi i territorit nga subjekti privat
Gazetarja e RTSH-24 informon se sipas informacioneve të para zyrtare nga terreni, procesi i shembjes po kryhet nga një subjekt privat, i cili ka marrë në pronësi ose shfrytëzim tokën rreth këtyre kullave. Ndërhyrja synon pastrimin e tërësishëm të territorit për t’i hapur rrugë projekteve të reja zhvillimore.
Nga momentet e dokumentuara të shembjes, duket qartë faza kur objekti gjigand hidhet në erë me tritol në mënyrë të kontrolluar, duke sjellë rrëzimin e menjëhershëm të structures.
Fundi i një epoke 25-vjeçare industriale
Strukturat e shembura ishin prej dekadash pjesë e pandashme e kujtesës kolektive dhe historisë industriale të qytetit të Fierit. Kombinati i Azotikut u krijua në vitin 1967 si një nga veprat më të mëdha të industrisë kimike në vend dhe funksionoi për ekzaktsisht 25 vite, deri në shkatërrimin e tij gjatë trazirave të vitit 1997.
“Këto struktura gjigante, pjesë e historisë industriale të qytetit, po prishen përfundimisht, duke ndryshuar përgjithmonë panoramën e kësaj zone,” informon gazetrja e RTSH-24, Laureta Roshi.
Me shembjen e këtyre oxhaqeve mbyllet përfundimisht kapitulli fiziko-arkitekturor i njërës prej hapësirave më të mëdha industriale të shekullit të kaluar në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



