Zjarret në Pukë, situata më problematike në Gojan të Vogël dhe Prozhëm. Flakët përparojnë drejt zonave të banuara, ndërhyhet nga ajri me dy helikopterë

Vijon operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore të Tërbunit, Gojanit, Gjegjanit dhe Prozhmit, në Bashkinë Pukë.
Situata në Gjegjan paraqitet më e qetë dhe aktualisht nuk raportohet për përparim të flakëve. Zona po monitorohet nga forcat vendore.
Në Gojan të Madh, gjatë natës janë evidentuar riaktivizime të disa vatrave, por ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka bërë të mundur normalizimin e situatës. Në lagjen Pepaj, zjarri nuk ka avancuar drejt banesave përtej perimetrit të izoluar gjatë ndërhyrjes intensive të ditës së djeshme. Edhe kjo zonë vijon të mbahet nën monitorim.
Situata më problematike paraqitet në Gojan të Vogël, ku një vatër vijon të jetë aktive dhe me intensitet, duke u përhapur në zbritje në drejtim të zonës së banuar.
Për përballimin e kësaj vatre është përqendruar edhe ndërhyrja nga ajri, me dy helikopterë, në koordinim me forcat në terren. Operacioni tokësor po zhvillohet nga efektivë të Forcave të Armatosura dhe forcat operacionale vendore.
Ndërkohë, në Prozhëm raportohet avancim i zjarrit. Për mbrojtjen e banesave dhe qytetarëve janë dislokuar prej ditës së djeshme dy mjete zjarrfikëse, të gatshme për ndërhyrje të menjëhershme në rast se flakët afrohen në zonën e banuar. Operacioni në këtë zonë po koordinohet në varësi të dinamikës së zjarrit, si nga ajri, ashtu edhe nga toka.
Në të gjithë zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun janë angazhuar aktualisht 9 mjete zjarrfikëse dhe 45 efektivë të MZSH-së nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra. Në operacion marrin pjesë gjithashtu 13 punonjës të Shërbimit Pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



